Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se urdhëroi rritjen e tarifave ndaj Zvicrës me nëntë për qind, pasi nuk i kishte pëlqyer mënyra se si një udhëheqëse zvicerane i ishte drejtuar gjatë një telefonate ku kërkonte uljen e tarifave.
Në një intervistë për “Fox Business”, Trumpi ka thënë se fillimisht kishte vendosur tarifa prej 30 për qind ndaj Zvicrës, por më pas mori një telefonatë urgjente nga Karin Keller-Sutter, anëtare e Këshillit Federal të Zvicrës, të cilën ai gabimisht e quajti kryeministre.
“I vendosa tarifa 30 për qind, që është shumë e ulët. Pastaj mora një telefonatë urgjente nga, besoj, kryeministrja e Zvicrës, dhe ajo ishte shumë agresive, por e sjellshme, por edhe shumë agresive. Ajo thoshte: ‘Zotëri, ne jemi një vend i vogël. Nuk mund ta përballojmë këtë. Nuk mund ta bëjmë këtë.’ Nuk po mund ta mbyllja telefonatën me të”, ka thënë Trump.
Ai shtoi se Keller-Sutter vazhdimisht përsëriste se Zvicra është një vend i vogël, gjë që, sipas tij, e kishte irrituar edhe më shumë.
“Nuk po mund ta mbyllja telefonatën, kështu që ishte 30 për qind. Dhe nuk më pëlqeu mënyra si po fliste me ne, kështu që në vend që ta ulja, e rrita në 39 për qind”, deklaroi Trump.
Komente të ngjashme ai kishte bërë edhe disa javë më parë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku la të kuptohej se nuk ishte i sigurt nëse Zvicra ka kryeministër apo president.
“Besoj kryeministrja, nuk e di, presidentja, kryeministrja më telefonoi, ajo gruaja. Ishte shumë përsëritëse. Thoshte: ‘Jo, jo, nuk mund ta bëni këtë, 30 për qind. Ne jemi një vend shumë, shumë i vogël.’ Por unë i thashë: ‘Mund të jeni të vegjël, por keni deficit të madh’”, ka thënë ai.
Zvicra nuk ka kryeministër apo president ekzekutiv. Vendi qeveriset kolektivisht nga një Këshill Federal prej shtatë anëtarësh. Megjithatë, negociatorët amerikanë dhe zviceranë arritën një marrëveshje paraprake në nëntor për të ulur normën e tarifave në 15 për qind, ndërsa industria zvicerane u zotua të investojë 200 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara deri në fund të vitit 2028.