Presidenti amerikan, Donald Trump, ka konfirmuar se SHBA-ja ka kryer sulme ndaj Venezuelës të shtunën.
Ai ka thënë se SHBA-ja kreu sulm në shkallë të gjerë dhe se ka kapur presidentin Nicolas Maduro duke e larguar nga vendi.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës me sukses kanë kryer sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe liderit të saj, presidentit Nicolas Maduro, i cili, bashkë me gruan e tij, është kapur dhe larguar nga vendi”, ka shkruar ai në rrjetin Truth.
Trump e ka cilësuar “operacion brilant” sulmin e kryer, në një intervistë të shkurtër me “New York Times”.
“Planifikim shumë i mirë dhe shumë trupa dhe njerëz të shkëlqyer. Ishte një operacion i shkëlqyer”, ka thënë ai.
Në një deklaratë të lëshuar, qeveria ka akuzuar SHBA-në se ka kryer sulme në Caracas, Miranda, Aragua dhe La Guaira, raportoi CNN.
Presidenti Nicolas Maduro ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka urdhëruar që të gjitha planet kombëtare të mbrojtjes të zbatohen “në kohën e duhur dhe rrethanat e duhura”, thuhet në deklaratën qeveritare.
Po ashtu, qeveria i ka bërë thirrje popullit dhe forcave politike për mobilizim për mbrojtjen e vendit.
“Populli i Venezuelës dhe Forcat e Armatosura Kombëtare, në unitet të përsosur popullor-ushtarak-policor, janë vendosur për të garantuar sovranitetin dhe paqen”, thuhej tutje.
#URGENTE Se confirman bombardeo en distintinras zonas del área metropolitana. Estos ataques van desde Higuerote en el Estado Miranda hasta Caracas inicialmente. Zonas aledañas a Fuerte Tiuna y El Cuartel de la Montaña #Venezuela resiste esto es #hastaElFinal pic.twitter.com/PKnuQ66Rxq
— Kedar (@Kedar_speaks88) January 3, 2026
Raportohet se Trumpi urdhëroi sulmet në Venezuelë
Presidenti Donald Trump ka urdhëruar që të kryhen sulme në zona brenda Venezuelës, përfshirë objekte ushtarake, i kanë thënë zyrtarë CBS Neës.
Megjithatë, ende nuk ka deklaratë zyrtare mbi këtë. Presidenti i Venezuelës e ka akuzuar SHBA-në për “agresion ushtarak” pas shpërthimeve e avionëve që u dëgjuan nga mesnata.
Reuters po ashtu ka raportuar se SHBA-ja ka kryer sulmet në Venezuelë, sipas një zyrtari amerikan.
Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit ka ndaluar avionët amerikanë të operojnë brenda hapësirës ajrore të Venezuelës, duke përmendur “rreziqet e sigurisë të lidhura me aktivitetin e vazhdueshëm ushtarak”.
Shpërthime e avionë dëgjohen në kryeqytetin e Venezuelës
Shpërthime dhe avionë janë dëgjuar mesnatën e së shtunës në kryeqytetin e Venezuelës, Caracas. Nuk dihet ende se prej nga kanë ardhur këto shpërthime, derisa qeveria e Venezuelës, Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë nuk kanë dhënë përgjigje.
Qytetarët kanë dalë nëpër rrugë në panik pas shpërthimeve, raportoi AP.
“E gjithë toka dridhej. Kjo është e tmerrshme. Dëgjuam shpërthime dhe avionë në distancë”, ka thënë 21-vjeçarja Carmen Hidalgo.
Shpërthimet vijnë ndërsa ushtria amerikane ka shënjestruar, në ditët e fundit, anije të dyshuara për kontrabandë me drogë. Të premten, Venezuela u shpreh e gatshme për të negociuar një marrëveshje me SHBA-në për të luftuar trafikimin e drogës.
Presidenti Nicolas Maduro ka thënë se SHBA-ja do ndryshim qeverie në Venezuelë dhe që të fitojë qasje në rezervat e saj të mëdha të naftës.
Presidenti amerikan, Donald Trump, për muaj ka kërcënuar se shumë shpejt mund të urdhërojë sulme mbi caqe në territorin e Venezuelës. SHBA-ja nisi t’i godasë anijet e dyshimta qysh në shtator.
Trumpi i ka justifikuar sulmet mbi anije si të domosdoshme për të ndaluar rrjedhjen e drogës në SHBA.