Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin të zbulojë çdo informacion të dëmshëm që ka për familjen e presidentit aktual amerikan, Joe Biden. CNN-ja e ka konsideruar kërkesën e Trumpit të pacipë, duke ia kujtuar se Rusia është kundërshtari kryesor i SHBA-së.
Trump në një intervistë me JustTheNews, u shpreh se Putini duhej të zbulonte çdo informacion në lidhje me biznesin e Hunter Bidenit, djalit të dytë të Joe Biden. Por nuk është e qartë nëse Kremlini ka ndonjë material që implikon Hunterin në punë të ndyta.
"Unë do të mendoja se Putini do ta dinte përgjigjen për këtë", deklaroi Trump, duke iu referuar punëve të mundshme të Hunter Bidenit në Rusi. "Unë mendoj se ai duhet ta zbulojë atë. Unë mendoj se ne duhet ta dimë këtë përgjigje".
Hunter Biden paguhej shumë për punën këshilluese që bënte në vendet e huaja, duke përfshirë Ukrainën e Kinën, ndërsa babai i tij, Joe Biden, ishte zëvendëspresident. Departamenti i Drejtësisë ka hetim penal të vazhdueshëm për këto marrëdhënie dhe krime të mundshme financiare.
Por ende nuk ka asnjë provë për të mbështetur pretendimet e Trumpit se familja e Bidenit është përfshirë në korrupsion ose ndikuan në politikën e SHBA-së për përfitime personale. Presidenti Joe Biden nuk është përfshirë në hetim. Hunter Biden ka mohuar çdo keqbërje.