Presidenti amerikan, Donald Trump, ka emëruar Richard Grenellin, ambasadorin amerikan në Gjermani, ushtrues detyre të drejtorit të inteligjencës kombëtare, raporton New York Times.
Grenell, siç raporton “The New York Times”, është njeri besnik i Trumpit i cili do të drejtojë një grup të agjencive të sigurisë kombëtare që shpesh shihen me skepticizëm nga Shtëpia e Bardhë, transmeton Koha.net.
Ai do ta pasojë Joseph Maguiren, i cili ka shërbyer si drejtor në detyrë i inteligjencës amerikane që kur Dan Coates, ish-senator republikan nga Indiana, dha dorëheqje verën e kaluar.
Kohë më parë, Trumpi e emëroi Grenellin të dërguar të posaçëm të SHBA-së për bisedimet Kosovë-Serbi.
Caktimi i Grenellit si ushtrues detyre, për dallim nga emërimi si drejtor i përherhshëm, nuk ka nevojë për konfirmim nga Senati. Senatori Mark Warner nga Demokratët, pjesë e Komitetit të Senatit për Inteligjencë, ka thënë se lëvizja e Trumpit “është përpjekje për të shmangur autoritetin kushtetues të Senatit për të këshilluar dhe pajtuar për pozicione të tilla kritike për sigurinë kombëtare”.