Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin në lidhje me luftën në Ukrainë, ka raportuar të dielën mediumi “Washington Post”.
Raportohet se Trump, që së fundmi i fitoi zgjedhjet presidenciale, i ka kërkuar Putinit të mos e përshkallëzojë situatën në Ukrainë, duke i përmendur “prani të konsiderueshme ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Evropë”.
Ata thuhet se kanë diskutuar edhe për arritjen e paqes dhe mundësinë për zgjidhjen e luftës.
“Washington Post” tutje ka raportuar se Qeveria e Ukrainës është njoftuar për diskutimin e Trumpit dhe Putinit.
Në anën tjetër, Trump kishte paralajmëruar se do ta zgjidhte luftën mes Ukrainës dhe Rusisë brenda 24 orëve, por pa treguar se nëpërmjet cilës formë.