Botë

Trumpi do të takohet me presidentin e Sirisë, Ahmad al-Sharaa

Donald Trump, Ahmed al-Sharaa

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet të takohet të mërkurën me presidentin e përkohshëm të Sirisë, Ahmad al-Sharaa, gjatë qëndrimit të tij në Arabinë Saudite, ka njoftuar të martën Shtëpia e Bardhë.

Shtetet e Bashkuara kanë peshuar se si të trajtojnë al-Sharaan që kur ai e ka marrë pushtetin në dhjetor, raporton AP.

Udhëheqësit e Gjirit janë pro qeverisë së re në Damask dhe do të duan që edhe Trumpi t’i ndjekë hapat e tyre, duke besuar se është një mburojë kundër një rikthimi të ndikimit në Siri të Iranit, i cili ndihmoi në mbështetjen e qeverisë së Assadit gjatë një lufte civile dhjetëvjeçare.

Dikur SHBA-ja kishte ofruar 10 milionë dollarë për informacion rreth vendndodhjes së kryengritësit të njohur më parë nga emri i luftëtarëve si Abu Mohammed al-Golani. 

Ai ishte bashkuar me radhët e kryengritësve të al-Kaidës që luftonin me forcat amerikane në Irak pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja në vitin 2003 dhe ende përballet me një urdhër arresti për akuzat për terrorizëm në Irak.

Presidenti i ri i Sirisë ishte kthyer në vendin e tij pas fillimit të konfliktit në vitin 2011 dhe drejtonte degën e al-Kaidës që dikur njihej si Fronti Nusra.

Ai më vonë ka ndryshuar emrin e grupit të tij dhe ka ndërpreë lidhjet me al-Kaidën përpara se ata të arrinin përfundimisht të rrëzonin Bashar Asadin në dhjetor.

Lexo përditësimet tjera
Donald Trump

Trump nis vizitat në Gjirin Persik në kërkim të marrëveshjeve të mëdha ekonomike

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, të martën në mëngjes do të mbërrijë...