Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka caktuar ekip të ri mbrojtës, vetëm një ditë pasi njoftoi për shkëputjen e rrugëve me avokatët e mëhershëm, më se një javë para nisjes së procesit të impiçmentit ndaj tij në Senat.
Dy avokatët përfaqësues të Trumpit - Dejvid Shown dhe Brus Kastor, një ish-avokat ky nga Pensillvania - konsiderohen gjithëmbarshëm si figura kundërthënëse. Kastor ishte kritikuar për vendimin që të mos e dënonte aktorin Bill Kozbi, në rastin gjyqësor për krime seksuale. Ndërkaq, Shown ka qenë përfaqësuesi ligjor i aleatit të Trumpit, Roger Stone, në rastin për pengimin e hetimeve të Kongresit rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016.
Procesi i impiçmetit kundër ish-presidentit amerikan pritet të fillojë më 9 shkurt, për akuzën e vetme të nxitjes së kryengritjes në ngjarjet e 6 janarit. Rruga drejt saj u hap pasi Dhoma e Përfaqësuesve votoi për impiçmentin e Trumpit në mes të janarit, duke e bërë republikanin të parin president në histori që i nënshtrohet dy herë këtij procesi brenda një mandati.
Gjyqi ndërkaq ka nxitur mospajtime të thella mes besnikëve të Trumpit, që dominojnë Partinë Republikane, dhe krahut të moderuar që kishte përkrahur impiçmentin e tij. Megjithëkëtë, Trump pritet t’i shpëtojë dënimit që do ta linte pa të drejtën e kandidimit në zgjedhjet presidenciale të 2024-s. \ AP
-
Trumpi ndan rrugën me disa avokatë para seancës në Senat më 8 shkurt
-
Avokatët e Trumpit kërkojnë që të hidhet poshtë dënimi për “paratë për heshtje”
-
Trumpi në kërkim të një Prokurori të Përgjithshëm besnik
-
Çfarë ndodh me rastet penale dhe civile ndaj Trumpit pas rizgjedhjes president?
-
Trumpi mban tubimin e parë që pas atentatit, mbrohet me xham antiplumb