Botë

Trumpi akuzon Minesotan për “mbulim kriminal” të mashtrimeve financiare

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka hedhur akuza të rënda ndaj shtetit të Minesotas përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e quajtur atë “mbulim kriminal” të asaj që ai e përshkroi si mashtrim masiv financiar. 

Me gjithë akuzat, Trumpi nuk ka ofruar detaje shtesë apo prova konkrete për pretendimet e tij, raportoi të dielën BBC-ja. 

Gjatë ditës edhe Shtëpia e Bardhë ka ngritur akuza të ngjashme. Zëdhënësja Karoline Leavitt, deklaroi se nën “udhëheqjen jokompetente” të guvernatorit Tim Walz, Minesota ka lejuar skema të gjera mashtrimi që, sipas saj, kanë çuar në vjedhjen e dhjetëra miliarda dollarëve nga fondet e taksapaguesve amerikanë.

Çështja e mashtrimeve financiare në Minesota është diskutuar prej kohësh si në Uashington, ashtu edhe në nivel shtetëror. 

Guvernatori Tim Walz ka hedhur poshtë akuzat, duke mbrojtur administratën e tij dhe duke theksuar se autoritetet kanë punuar prej vitesh për të luftuar aktivitetet kriminale. 

Ai ka akuzuar Trumpin se po e politizon këtë çështje me qëllim shkurtimin e fondeve për programet sociale që, sipas tij, ndihmojnë qytetarët e Minesotas.