Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se administrata e tij do ta zgjidhë problemin e kërcënimit bërthamor të Koresë Veriore, me apo pa ndihmën e Kinës.
Gjatë një interviste për “Financial Times”, republikani tha se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë si të vetme, nëse shteti komunist vazhdon ta shkelë marrëveshjen bërthamore, derisa komentet e tij vijnë disa javë pasi Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, konfirmoi se nuk përjashtohet edhe ndërhyrja ushtarake.
Trump nuk ka dhënë më shumë të detaje se cili është plani i Washingtonit për parandalimin e testimeve tjera bërthamore të Koresë Veriore, megjithatë ai pritet ta shtjellojë këtë çështje me presidentin kinez, me të cilin pritet të takohet këtë javë.