Botë

Tri masakra për tetë ditë në Kaliforni

Guvernatori i Kalifornisë, Gawin Newsom, ka bërë thirrje për ligje më të fuqishme kundër armëve dhe përmendi armët me karikatorë më të mëdhenj – aso që kishte vrasësi në studion e vallëzimit – aso që i ka quajtur “armë të luftës së mallkuar”

(AP) - Pak ditë pas masakrës më të rëndë në historinë e Los Angelesit, guvernatori i Kalifornisë po takohej në spital me të mbijetuarit e një sulmi kur u tërhoq si anash nga ndihmësit e tij dhe u njoftua për një tjetër sulm në masë, në pjesën tjetër të shtetit.

Bëhej fjalë për vrasësin që kishte vrarë shtatë persona në fermën e kërpudhave në pjesën veriore të Kalifornisë. Sulmi u bë vetëm pak orë pasi guvernatori Gavin Newsom foli për lodhjen dhe zemërimin me vrasjet në masë.

“Nuk mund të vazhdoj ta bëj këtë”, ka thënë ai të hënën në Monterey Park, në të cilin 11 persona u vranë në një studio vallëzimi. “Të thuash të njëjtën gjë shpesh është çmenduri”.

Mirëpo Newsom ishte në Half Moon Bay të martën për të adresuar vrasjen e tretë në masë brenda një jave në një prej shteteve me ligjet më të ashpra kundër armëve dhe me mesataren më të ulët të vrasjeve.

Zëri i tij ishte i mbushur me zemërim dhe emocione, por ka thënë se është konsultuar me notat që i përdori në fjalimet e mëparshme kundër vrasjeve në masë: vrasja e 12 personave në Thousand Oaks në vitin 2018, vrasjet e tre personave dhe plagosjen e 17 të tjerëve në vitin 2019 në Gilroy Garlic Festival; vrasja e nëntë punëtorëve të hekurudhës në San Jose në vitin 2021.

“Fillova të shkruaja në ‘Monterey Park’”, ka thënë Newsom. “Tani më duhet të shkruaj për ‘Half Moon Bay’. Çfarë dreqin po ndodh”.

Vrasjet në sallën e vallëzimit

Një 66-vjeçar është arrestuar nën dyshimin për vrasjen dhe tentativë vrasjen. Shtatë persona i vrau, i teti është plagosur, kanë njoftuar autoritetet, të cilat kanë shtuar se rasti ka të bëjë me dhunë brenda vendit të punës në zonën agrikulturore mes Oqeanit Paqësor dhe maleve bregdetare.

Në Monterey Park, një 72-vjeçar shtiu në drejtim të sallës së vallëzimit në komunitetin amerikano-aziatik që po festonte Vitin e ri Hënor të shtunën mbrëma. Vrau 11 persona dhe plagosi nëntë të tjerë. Vrasësi më vonë ia mori jetën edhe vetes.

Një javë më parë së paku dy persona vranë nënën 16-vjeçare dhe beben 10-muajshe, dhe katër të tjerë në pjesën qendrore të Kalifornisë. Ky rast ende është i pazgjidhur.

“Zemrat tona janë me njerëzit në Kaliforni”, ka thënë presidenti amerikan, Joe Biden, të martën në një takim me liderët demokratë të kongresit. “Kanë përjetuar ditë shumë, shumë të rënda”.

Bideni ka thënë se senatorja Dianne Feinstein, demokrate nga Kalifornia, ka prezantuar ligjin për ndalimin e armëve dhe presidenti u kërkoi senatorëve që ta miratonin këtë ligj.

Edhe Newsom ka bërë thirrje për ligje më të fuqishme kundër armëve dhe përmendi armët me karikatorë më të mëdhenj – aso që kishte vrasësi në studion e vallëzimit – aso që i ka quajtur “armë të luftës së mallkuar”.

“Është thënë gjatë gjithë kohës: ‘Vetëm në Amerikë’”, ka thënë Newsom. “Numër një në pronësinë e armëve. Numër një në vrasje. Nuk është edhe aq e komplikuar”.

Masakrat e fundit kanë ngritur Kaliforninë për pesë vende, për numrin e vrasjeve për kokë banori në SHBA që prej vitit 2006. Në databazë llogariten vetëm vrasjet me së paku katër persona. Kalifornia tani është në vendin e 26-të në SHBA për vrasje në masë.

Teksa Kalifornia ka numrin më të madh të vrasjeve në masë – 49, duke përfshirë tri masakrat e fundit – ky shtet amerikan është renditur në pozitën e 31-të para se të ishte cilësuar si shteti më i populluar i vendit me afro 40 milionë banorë.

Numër i madh i vrasjeve

Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë renditur Kaliforninë me shkallën e shtatë më të ulët të vdekshmërisë nga armët në Amerikë për 100 mijë banorë, thuhet në statistikat e fundit të vitit 2020. Shteti amerikan renditet i 20-ti sa i përket shkallës së ulët të vrasjeve, e cila nuk kufizohet vetëm me vrasjet nga armët.

Me vrasjet e njëpasnjëshme detektivët në dy skajet e shtetit po bënin përpjekje që t’i përgjigjeshin pyetjes që shpesh mbetet pa përgjigje kur bëhet fjalë për dhunën e pakuptimtë: “Përse ndodhën?”

Shefi i Policisë së Los Angelesit, Robert Luna, e ka cilësuar vrasësin në sallën e vallëzimit, 72-vjeçarin Huu Can Tran, si “person të çmendur”, teksa ka shtuar se hetuesit janë duke kontrolluar nëse ai kishte lidhje me njerëzit e vrarë në Star Ballroom.

Tran përdori 42 plumba në sallën që përdorej më së shumti nga amerikanët-aziatikë. Pastaj u nis me makinë drejt një salle tjetër vallëzimi dhe punonjësi arriti t’i heqë nga duart automatikun e modifikuar nëntëmilimetërsh, ka bërë të ditur Luna.

Tran vrau veten të dielën teksa policia kishte rrethuar automjetin në të cilin ndodhej. Një revole u gjet në automjetin, të cilin e përdori për të ikur nga vendi i ngjarjes.

Tufa të mëdha lulesh janë vendosur në hyrje të studios së vallëzimit të martën. Në murin me tulla afër hyrjes dikush kishte vendosur një letër të kaltër në të cilën shkruhej “Ndaloni armët gjysmautomatike”. Mesazh i shkruar në gjuhën kineze.

Qindra njerëz dolën të martën për të ndezur qirinj në Monterey Park City Hall. Në zemrat prej druri ishin gdhendur emrat e viktimave. Një grua e ndihmoi të bijën e vogël që të vendoste kurorat e luleve. “Ka aq shumë të vrarë sa nuk do të na mjaftojnë këto lule”, ka thënë ajo me zërin që i dridhej.

Që prej fillimit të vitit kanë ndodhur gjashtë vrasje në masë në SHBA. Sulmi në Monterey Park ishte më vdekjeprurësi që prej 24 majit të vitit 2022, kur 21 persona u vranë në shkollën fillore në Uvalde të Teksasit.

Vrasjet në Half Moon Bay ndodhën vetëm 48 orë pasi 66-vjeçari Chunli Zhao vrau tre persona në fermën e kërpudhave në të cilën punonte. Vrau katër persona. Ai pastaj u nis drejt fermës ku kishte punuar dikur dhe vrau edhe tre persona të tjerë, ka njoftuar policia.

Viktimat ishin aziatikë dhe hispanikë, shumica punëtorë emigrantë.

Një nga punëtorët e vrarë ishte Marciano Martinez Jimenez, 50-vjeçar, ka thënë vëllai i tij, Servando Martinez Jimenez. Ishte nga shteti meksikan i Oaxaca dhe në SHBA jetonte qe 28 vjet.

“Ishte person i mirë. Ishte i sjellshëm dhe miqësor me të gjithë. Kurrë nuk pati probleme. Nuk e kuptoj përse ndodhi e gjithë kjo”.

Vrasjet në fermë ishin më të përgjakshmet në San Mateo County.

“Nuk kemi pasur rast të tillë me kaq shumë vrasje në një vend”, ka thënë prokurori Steve Wagstaffe.

Zhao u arrestua pasi policët e gjetën në automjetin e tij në parkingun e stacionit të policisë.

Eamonn Allen, zëdhënës i policisë në San Mateo, nuk pranoi të përgjigjet nëse Zhao kishte histori kriminale, por ka thënë se “nuk kishte tregues specifikë që do të na kishin bërë të besonim se ai ishte i aftë për diçka të tillë”.

Pa historik

Sidoqoftë, San Francisco Chronicle ka raportuar se Zhao u akuzua 10 vjet më parë se kishte kërcënuar se do të hapte kokën e një kolegu me thikë dhe veçmas u përpoq ta mbyste burrin me jastëk, bazuar në dokumentet e gjykatës.

Autoritetet kanë folur shumë pak për Tran, i cili për pak kohë zotëronte kompani kamionësh në Monterey Park nga 2002 deri në 2004, sipas të dhënave të biznesit në Kaliforni.

Ai u arrestua një herë për posedim të paligjshëm të një arme zjarri në vitin 1990 dhe kishte histori të kufizuar kriminale, ka thënë Luna. Sherifi nuk mund të thoshte menjëherë nëse një arrestim me armë në një kohë kur ligjet për armët e zjarrit ishin të ndryshme, do ta ndalonte atë të zotëronte armë.

Tran frekuentoi një herë sallën e vallëzimit dhe një sallë tjetër vallëzimi, të cilin më vonë e kishte në shënjestër dhe e mbërtheu mënyrën se si mendonte se njerëzit e trajtonin atje, ka thënë një person, i cili e ka identifikuar veten si mik i vjetër i vrasësit.

Tran ishte vazhdimisht mosbesues dhe paranojak dhe ankohej rregullisht se njerëzit në klube nuk e pëlqenin atë, sipas ish-mikut që kërkoi anonimitetin për të folur për Tran sepse donte të shmangte vëmendjen e mediave.

Hetuesit po shqyrtonin gjithashtu raportet që Tran i bëri dy herë këtë muaj policisë në qytetin ku jetonte se anëtarët e familjes u përpoqën ta helmonin, e mashtruan dhe vodhën prej tij një ose dy dekada më parë në zonën e LA, ka thënë zëdhënësi i policisë së Hemet Alan Reyes. Tran nuk u kthye kurrë me dokumentacionin që premtoi se do të siguronte.

Policët nga Los Angeles County kontrolluan të hënën shtëpinë e Tran në një komunitet të moshuarish në Hemet, pak më shumë se një orë me makinë nga vendi i masakrës. Oficerët gjetën një pushkë të kalibrit 308, një numër të madh plumbash dhe prova se ai po krijonte shurdhues të armëve të zjarrit.

Newsom ka thënë se shmangu qëllimisht konferencave për shtyp në Los Anxhelos për t'u takuar me banorët e komunitetit, njerëz të plagosur nga armë zjarri dhe heroin, Brandon Tsay, i cili çarmatosi Tranin.

Teksa ai ishte në Monterey Park, një nënë me sy të përlotur hyri në makinën e saj dhe i kërkoi atij të siguronte tri vajzat e saj se gjithçka do të ishte në rregull. 8-vjeçarja e saj kishte dëgjuar të shtënat dhe e dinte se nuk ishin fishekzjarrë. Ajo nuk kishte fjetur natën dhe kishte frikë të shkonte në shkollë, tha nëna.

Newsom i tha vajzës: “Do të bëhet më mirë”.

Por, përpara një grupi prej dhjetëra politikanësh, oficerësh të zbatimit të ligjit dhe gazetarëve të mbledhur në Gjirin e Half Moon, ai ka thënë se ndihej i lehtësuar që ajo nuk e nxiti t’ia kapte dorën si e bija e tij dhe t’i premtonte se do të bëhet mirë. “Sepse nuk isha aq i sigurt”.

Përktheu: Gent Mehmeti