Shumë gjëra mbeten të panjohura, por skenat e agonisë dhe tmerrit janë gjithnjë e më shumë të njohura në Amerikë, vlerëson televizioni amerikan, CNN. “Në fakt, të shtënat masive të së hënës i bashkohen *38* të tjerave brenda vetëm tri javëve të para të vitit 2023, sipas Arkivit të Dhunës me Armë. Komunitetet nga Goshen, Kaliforni, në Baltimore, Maryland, po tronditen ndërsa të tjerët përgatiten për mundësinë e një dhune të tillë në oborret e tyre”
Half Moon Bay, Shtetet e Bashkuara, 24 janar (CNN) - Të paktën shtatë persona kanë vdekur në Half Moon Bay, Kaliforni, në të shtënat e dyta masive në këtë shtet brenda 48 orësh.
I dyshuari për të shtënat e së hënës në pjesën veriore të shtetit është kapur, tha për CNN-in të hënën në mbrëmje Dave Pine, president i Bordit të Mbikëqyrësve të Qarkut San Mateo.
Të shtunën mbrëma, të paktën 11 persona u vranë dhe të tjerë u plagosën pas të shtënave masive në Monterey Park, Kaliforni. Të shtënat ndodhën, ndërsa komuniteti i madh aziatik amerikan i qytetit po festonte fundjavën e Vitit të Ri Hënor.
Përgjakja e festës
Shumë gjëra mbetën të panjohura, por skenat e agonisë dhe tmerrit janë gjithnjë e më shumë të njohura në Amerikë. Në fakt, të shtënat masive të së hënës u bashkohen *38* të tjerave brenda vetëm tri javëve të para të vitit 2023, sipas Arkivit të Dhunës me Armë.
Komunitetet nga Goshen, Kaliforni, në Baltimore, Maryland, po tronditen ndërsa të tjerët përgatiten për mundësinë e një dhune të tillë në oborret e tyre.
"Një kohë e një feste kulturore ... dhe një tjetër komunitet është copëtuar nga dhuna e pakuptimtë me armë", i tha nënpresidentja Kamala Harris një turme në Tallahassee, Florida, të dielën. “Të gjithë ne në këtë sallë dhe në vendin tonë e kuptojmë se kjo dhunë duhet të ndalet”.
Por se si ndodh kjo me një Kongres të ndarë, me receta shumë të ndryshme politikash dhe një kulturë të rrënjosur thellë të armëve, mbetet për t'u parë.
Presidenti Joe Biden i kërkoi Kongresit të hënën të miratojë një palë projektligje që kërkojnë të ndalojnë armët e sulmit dhe të rrisin moshën e blerjes në 21 vjeç, duke iu lutur ligjvënësve që të "veprojnë shpejt".
“Shumica e popullit amerikan pajtohet me këtë veprim të arsyeshëm. Nuk mund të ketë përgjegjësi më të madhe sesa të bëjmë gjithçka që mundemi për të garantuar sigurinë e fëmijëve tanë, komuniteteve tona dhe kombit tonë”, tha ai në një deklaratë.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Bideni u informua për të shtënat në Half Moon Bay nga këshilltari i tij për Sigurinë Kombëtare të hënën në mbrëmje.

Barrë e rëndë
Është keq sido që ta shikosh.
Lëndimet nga armët e zjarrit janë tani shkaku kryesor i vdekjes në mesin e njerëzve më të rinj se 24 vjeç në Shtetet e Bashkuara, sipas një studimi të botuar në edicionin e dhjetorit 2022 të Pediatrics, revista e Akademisë Amerikane të Pediatrisë.
Nga viti 2015 deri në vitin 2020 ka pasur të paktën 2.070 të shtëna të paqëllimshme nga fëmijët nën 18 vjeç në SHBA, sipas një raporti nga Everytown. Këto të shtëna rezultuan në 765 të vdekur dhe 1.366 të plagosur.
Një studim i botuar në fund të vitit të kaluar në JAMA Network Open analizoi vdekjet nga armët e zjarrit gjatë tri dekadave të fundit - një total prej më shumë se 1 milion jetësh të humbura që nga viti 1990.
Studiuesit zbuluan se shkalla e vdekshmërisë nga armët e zjarrit u rrit për shumicën e grupeve demografike në vitet e fundit - veçanërisht gjatë pandemisë Covid-19 - por pabarazitë e mëdha vazhduan. Shkalla e vrasjeve në mesin e të rinjve me ngjyrë – 142 vdekje nga vrasjet për çdo 100 mijë burra me ngjyrë të moshës 20 deri në 24 vjeç – ishte gati 10 herë më e lartë se shkalla e përgjithshme e vdekjeve nga armët e zjarrit në SHBA në vitin 2021.
Amerikanët janë të armatosur si pak të tjerë
Ka rreth 393 milionë armë zjarri në pronësi private në SHBA, sipas një vlerësimi nga Small Arms Survey me bazë në Zvicër. I bie 120 armë për çdo 100 amerikanë.
Ndërsa numri i saktë i armëve të zjarrit në pronësi të civilëve është i vështirë për t'u llogaritur për shkak të një sërë faktorësh – duke përfshirë armët e paregjistruara, tregtinë e paligjshme dhe konfliktin global – asnjë komb tjetër nuk ka më shumë armë civile sesa amerikanët.

Rreth 45% e të rriturve amerikanë thonë se jetojnë në një familje me armë, sipas një sondazhi të Gallup të tetorit 2022.
Arkivi i Dhunës me Armë, si CNN-i, e përkufizon një të shtënë masive si atë në të cilën të paktën katër persona janë qëlluar, duke përjashtuar sulmuesin.
Por ajo që përcakton një e shtënë masive varet nga kush pyesni.
Byroja Federale e Hetimit, për shembull, ka përmendur legjislacionin e vitit 2012 që përcakton një "vrasje masive" si "tre ose më shumë vrasje në një incident të vetëm".
Mass Shooting Tracker, bazë e të dhënave me burim nga turma, i përkufizon të shtënën masive si "një shpërthim të vetëm dhune në të cilin katër ose më shumë njerëz qëllohen".
Everytown For Gun Safety përkufizon një të shtënë masive si çdo incident në të cilin katër ose më shumë njerëz qëllohen dhe vriten, duke përjashtuar sulmuesin.
Interpretime ndryshe
Mungesa e një përkufizimi të fortë nuk ndihmon në adresimin e problemit. Dhe kontestimi hap hapësirë për të interpretuar të dhënat ndryshe. Për shembull, gazeta konservatore “Daily Caller” ka përmendur një përkufizim të "të shtënave masive publike" të përfshirë në një raport të Shërbimit Kërkimor të Kongresit të vitit 2013, i cili është aq i ngushtë sa ka identifikuar vetëm 78 prej tyre midis vitit 1983 dhe 2012.
Një punim kërkimor i vitit 2019 i botuar në Injury Epidemiology vuri në qendër të vëmendjes këtë çështje: "Arkivi i dhunës me armë regjistroi incidentet më masive të të shtënave me 346 incidente në vitin 2017, ndërsa Mother Jones regjistroi vetëm 11 raste".
Konkluzioni i autorëve?
“Vendosja e një përkufizimi për ‘të shtëna masive’ do të përmirësojë cilësinë e analizave që po kryhen. Kjo mund të çojë në një përmirësim jo vetëm në ndërgjegjësimin publik dhe të të kuptuarit e fakteve të të shtënave masive, por edhe në argumente për politikëbërësit për legjislacionin që mund të lehtësojë barrën që të shtënat masive i vendosin shoqërisë”.
Përktheu: Forca Jashari