Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Trajkoviq: Serbët e duan Rusinë vetëm në kriza

Momçillo Trajkoviq, ish-lider komunist i serbëve në Kosovë, ka folur lidhur ndikimin e Rusisë tek serbët, duke nënvizuar se “serbët i duan rusët vetëm në situata krize”.

Trajkoviq, i cili në vitin 1999, kishte pasur në Aeroportin e Prishtinës një debat të nxehtë me kongresmenët amerikane lidhur me shtypjen ndaj shqiptarëve, tash thotë se “populli serb, pavarësisht politikës autoritare në Beograd, ka potencial demokratik”. Ndërsa fajin për “ndikimin e huaj”, siç ai e quan, ua vë elitave politike në Ballkanin Perëndimor.

“Të gjitha elitat politike në regjionin e Ballkanit Perëndimor nuk janë ende të gatshme që të mendojnë strategjikisht dhe që ta gjejnë rrugëdaljen që të dilet nga aty ku janë të gjithë popujt që jetojnë në këto toka. Politikat e tilla janë të nënshtruara nga ndikimi i huaj. Ka interes amerikan dhe ndikim amerikan. Dhe, sigurisht ka interesa ruse dhe ndikim rus. Dhe mund ta dimë se çka është interes rus dhe kë e përkrah, dhe çka është interes amerikan dhe kush e përkrah. Këtë duhet ta kuptojmë, sepse këtu ndeshen interesat e fuqive të mëdha”, tha Trajkoviq.

Trajkoviq ka thënë se politika aktuale e Serbisë po provon që ta luajë rolin e Josip Broz Titos, si një vend asnjanës, gjë që sipas tij është e pamundshme.

“Serbia, e cila është e zhgënjyer me sjelljen e Perëndimit pas gjithë luftërave që u bënë në Ballkan, ajo mendon se politika amerikane dhe perëndimore ka anuar, dhe kërkon rrugë aty ku mundet – në Lindje. Kjo është Rusia, përkatësisht Kina. Sot i kemi këto pozicione të definuara. Përveç se, Serbia po provon që ta luajë një lojë, e cila dikur është luajtur këtu, e ashtuquajtura politika e të painkuadruarve, të cilën në kohën e vet e ka udhëhequr Tito. Mirëpo, kjo politikë këtu nuk mund të ketë sukses. Pse? Sepse, kur Titoja e themeloi atë politikën e të painkuadruarve të Jugosllavisë së atëhershme, kushtet dhe ambienti, rrethanat historike kanë qenë krejtësisht të ndryshme”, vijoi ai.

Politikani serb nga Kosova ka theksuar se ndikimi i huaj matet me kapitalin e investuar në vendin përkatës.

“Në Ballkan, ndikimi amerikan është më i madhi. Mendoj se interesat perëndimore janë më të madhe dhe ndikimet janë më të mëdha. Para së gjithash, sepse këtu ka kapital amerikan, përkatësisht perëndimor. Në Serbi, aq sa ka kapital perëndimor të instaluar, ka ndikim perëndimor. Ndërsa në Kosovë, Shqipëri, madje edhe në Mal të Zi e Bosnje e Hercegovinë, ai interes apo ndikim është shumë më i madh nga Perëndimi. Përveçse, në Bosnje e Hercegovinë, në një miniplan, aty ka ndeshje më të madhe interesash në mes Perëndimit dhe Rusisë”, tha Trajkoviq.

Momçillo Trajkoviq mendon se ndikimi rus te serbët e Kosovës nuk ndjehet aspak.

“Do t’ua them shumë sinqerisht, se unë këtu nuk e ndjej aspak ndikimin rus. Ndikimi rus këtu matet me atë se sa e dua unë Rusinë. Kaq është ndikimi. Ndikimi direkt, ose të themi, insistimi ditor që ai interes të njihet, këtu nuk ekziston. Me një fjalë, kjo gjë sikur është e qartë plotësisht. Serbët, për shkak të situatës në të cilën gjendeshin, gjë që gjatë historisë ka qenë njëjtë; për shkak të padrejtësisë që mendohet se i është bërë Serbisë, ajo e ka kërkuar mbrojtësin në Lindje. Dhe, provon që të gjejë kompromis në mes interesave perëndimore dhe lindore. Dhe për këtë thamë se, këtu megjithatë duhet të bëhet kompromis dhe jo të bëhet politikë asnjanëse. Në fakt, është e pamundshme sepse Serbia është shumë e vogël që të bëjë politikë asnjanëse, në mënyrë që të mos ndikohet. Dhe në këtë mënyrë të vijë edhe te interesat amerikane, përkatësisht që të ndikojë në politikën amerikane, dhe në njëfarë mënyrë ta zbusë politikën dhe interesat amerikane, pikë së pari për çështjen e Kosovës, e cila është çështja më e ndjeshme në Ballkan, dhe pas së cilës qëndron interesi amerikan”, vijoi ai./KSP

Artikuj të ngjashëm