Botë

“Tradhtia” e vendeve të pasura për ndryshimet klimatike

Vendet në zhvillim argumentojnë se ndryshimi i klimës që po e përjetojnë është shkaktuar nga emetimet historike të karbonit që e kanë origjinën nga vendet më të pasura. Ato kanë vënë në dukje se Evropa dhe SHBA-ja kanë përgjegjësinë tani për të paguar për këto humbje dhe dëme

Bisedimet për klimën në Bon arritën në ditën e tyre të fundit me vendet e pasura që akuzohen për tradhti kundrejt vendeve në zhvillim.

Vendet më të varfra kanë njoftuar se premtimi për kompensimin e dëmit të shkaktuar nga emetimet e vendeve më të pasura do të respektohet këtë vit.

Ato besonin se do të gjendeshin para të reja për t’i paguar ndikimet e ndryshimeve klimatike me të cilat nuk mund të përshtaten. Mirëpo, në diskutimet në Bon, kanë bërë të ditur se çështja është anashkaluar nga SHBA-ja dhe Evropa.

Për shumë pjesëmarrës, koncepti i njohur si humbje dhe dëmtim është bërë çështja kryesore në negociatat globale për klimën.

Pjesëmarrësit e vendeve në zhvillim thonë se ndikimet klimatike në vendet e tyre janë më të rënda sesa në vendet më të pasura dhe ata kanë më pak kapacitet financiar për t’u përballur.

“Po jetojmë tashmë me humbje dhe dëme për 25 vjetët e fundit”, ka thënë Adriana Vasquez Rodriquez nga Shoqata La Ruta del Clima, grup mjedisor nga Kosta-Rika.

“Kemi familje që kanë humbur shtëpitë, të korrat, jetën e tyre dhe askush nuk po paguan për këtë, po na mbarojnë edhe burimet në të njëjtën kohë, jemi të varur nga borxhi.

Vendet në zhvillim argumentojnë se ndryshimi i klimës që po e përjetojnë është shkaktuar nga emetimet historike të karbonit që e kanë origjinën nga vendet më të pasura. Ato kanë thënë se Evropa dhe SHBA-ja kanë përgjegjësinë tani për të paguar për këto humbje dhe dëme.

SHBA-ja dhe Evropa nuk janë dakord. Ato kanë frikë se nëse paguajnë për emetimet historike, kjo mund t’i vërë vendet e tyre në grep për miliard dollarë për dekada a shekuj në vijim.

Çështja u diskutua në konferencën e OKB-së për klimën në vitin 2021, në Glasgou, e njohur si “COP26”, ku u arrit ai që u quajt “kompromis delikat”.

Shtetet ishullore dhe vendet në zhvillim do të pajtoheshin me paktin e klimës së Glasgout me fokus të madh në uljen e emetimeve të karbonit, nëse më në fund vendet më të pasura do ta vendosnin procesin që do t’i financonte humbjet dhe dëmet.

Kompromisi u bazua në një marrëveshje, sipas së cilës vendet do të ishin të gatshme t’i fillonin bisedimet dhe të merrnin vendime për t’u marrë me mënyrën se si të siguronin rrjedhën e financave për humbje dhe dëme”, ka theksuar Alex Scott nga E3G, grup i pavarur mendimesh.

“E ne nuk e kemi parë këtë të realizohet këtu. Në vend të kësaj, kemi parë thjesht një punëtori të ngritur për të diskutuar se si mund t’i rregullojmë disa nga problemet”.

Kompromisi përfshinte ngritjen e dialogut të Glasgout mbi humbjet dhe dëmet, i cili pati takimin e parë të seminarit në Bon.

Vendet më të varfra shpresonin se ky takim kryesisht teknik do të shkaktonte zyrtarisht humbje dhe dëme në agjendën e liderëve politikë që do të takoheshin në “COP27”, në Sharm El-Sheikh, në nëntor.

Ama, deri më tani, kjo nuk ka ndodhur pasi disa vende janë kundër.

Nëse nuk arrihet përparim, shumë pjesëmarrës kanë bërë të ditur se kjo do të ishte goditje e rëndë për unitetin përpara.

“Do të ishte tragjike”, është shprehur ambasadori Conrod Hunte, negociatori kryesor për Aleancën e Shteteve të Vogla Ishullore (AOSIS).

“Çfarë është arritur këtu? Jo shumë, do të thosha ka ende shumë për t’u arritur. A jam i lumtur? Jo, nuk jam i lumtur”.

Aktivistët e klimës shkuan shumë më larg se diplomatët.

“Vendet e varfra po lihen në lloç nga ato të pasurat. BE-ja, SHBA-ja, e të tjerët kanë bllokuar përparimin në financimin e humbjeve dhe dëmeve”, ka shkruar në Twitter, Tasneem Essop, nga CAN International.

“Ne jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer nga ajo që po ndodh në negociatat në Bon”.

Disa vunë në shënjestër të dërguarin e SHBA-së për klimën, John Kerry, i cili i ka thënë në fillim të këtij takimi se bota do të bëhej “shkrumb” nëse emetimet e karbonit nuk do të ndaleshin me shpejtësi.

“Vendet globale të jugut po bëjnë gjithçka për të bërë që SHBA-ja, emetuesi më i madh historik, të paguajë për dëmet që ka shkaktuar”, ka vënë në dukje Rachel Rose Jackson nga “Corporate Accountability”.

Me një ditë bisede të mbetur, ka disa shpresa se mund të gjendet kompromisi për të vendosur humbjen dhe dëmin në rendin e ditës për COP në Egjipt.

Përktheu: Blerta Haxhiu