OpEd

Nga drejtësia klimatike në përgjegjësinë klimatike

Vërtet, COP27 la shumë pjesëmarrës dhe vëzhgues të zhgënjyer. Shkencëtarët e klimës, aktivistët dhe të tjerët janë të tronditur kuptueshëm që urgjenca e ndryshimit të klimës po injorohet dhe se çështjet më të menjëhershme, si kriza e kostos së jetesës dhe lufta e Rusisë në Ukrainë, po tërheqin vëmendjen e politikëbërësve dhe publikut. Por realiteti është se COP27 ka të ngjarë të mbahet mend si një moment i rëndësishëm. Tani që bota e zhvilluar më në fund ka pranuar një shkallë të përgjegjësisë financiare për humbjet dhe dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike, debati më i gjerë klimatik do të kthehet tani e tutje në çështjen e përgjegjësisë. Dhe kjo, nga ana tjetër, mund të ndryshojë rrënjësisht stimujt e protagonistëve kryesorë.

Londër – Shumë e kanë hedhur poshtë konferencën e klimës COP27 të muajit të kaluar si dështim, për shkak të mungesës së progresit në premtimet e bëra në samitin COP26 vitin e kaluar dhe për mungesën e angazhimeve të qarta për të hequr gradualisht karburantet fosile. Më gjerësisht, vetë procesi COP është kritikuar si i pamjaftueshëm dhe përfundimisht i papërshtatshëm, duke pasur parasysh mbështetjen e tij në unanimitet midis të gjitha palëve.

Mirëpo, COP27 prodhoi përparim të dukshëm: ekonomitë e përparuara të botës, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, më në fund pranuan njëfarë përgjegjësie për “humbjen dhe dëmin” e shkaktuar nga ndryshimi i klimës. Në gjuhën burokratike të komunikatës përfundimtare, ranë dakord “të vendosin rregullime të reja financimi për të ndihmuar vendet në zhvillim që janë veçanërisht të cenueshme ndaj efekteve negative të ndryshimit të klimës në përgjigjen ndaj humbjeve dhe dëmeve”. Një komitet i posaçëm i përbërë nga 24 vende është krijuar për të përcaktuar se si do të financohet, menaxhohet dhe shpërndahet fondi i ri. Përfundimet e tyre priten në samitin COP28 në Emiratet e Bashkuara Arabe në fund të vitit të ardhshëm.

Megjithatë, duke pasur parasysh se republikanët së shpejti do të kenë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, është e vështirë të besohet se SHBA-ja do të vendosë shumë para në tavolinë. Ekziston gjithashtu pasiguri nëse Kina do të jetë një kontribuues i madh. Edhe pse tani është një burim kryesor i emetimeve, Kombet e Bashkuara ende e konsiderojnë atë një vend “në zhvillim”. Së fundi, teksa BE-ja ka pranuar, në parim, që vendet më përgjegjëse për ndryshimin e klimës duhet të ndihmojnë në përballimin e kostove, ajo po shkon drejt një recesioni, i cili ka shumë të ngjarë të kufizojë kontributin e evropianëve.

Përfshirja e Kinës është veçanërisht e rëndësishme. Jo vetëm që gjeneron pothuajse një të tretën e emetimeve globale, por BE-ja i ka bërë kontributet kineze kusht për pjesëmarrjen e saj. Prandaj, ish-kryeministri britanik, Gordon Brown paralajmëron se ne mund të përfundojmë me një “fond pa financues”.

Por, sado real që të jetë ky rrezik, ai nuk duhet ta zvogëlojë rëndësinë e asaj që qeveritë ranë dakord në COP27. Pranimi i përgjegjësisë nga bota e zhvilluar për ndikimin e ndryshimeve klimatike krijon bazat për dëmshpërblime dhe tregon një shkallë përgjegjësie që tani do të testohet në gjykata anembanë botës. “Drejtësia klimatike” do të evoluojë nga një slogan i fuqishëm në një çështje ligjore të drejtpërdrejtë. Nëse ndryshimi i klimës është rezultat i emetimeve - të kaluara dhe të tashme - dhe nëse po nxit rritjen e incidencës dhe ashpërsisë së motit ekstrem, kjo do të thotë se përmbytjet e këtij viti në Pakistan dhe shkretëtirëzimi zvarritës në Afrikën e Veriut mund t’u atribuohen atyre që shkaktuan emetimet.

Por kush është saktësisht përgjegjës? Qeveritë e botës së zhvilluar kanë pranuar se janë pjesërisht të përgjegjshme. Por përgjegjësia mund t’i atribuohet gjithashtu kompanive që kanë prodhuar, shitur dhe përfituar nga shitjet e produkteve që kanë gjeneruar emetimet. Kompanitë e energjisë mund të përpiqen të argumentojnë se deri në vitet 1980 dhe 1990, nuk kishte konsensus shkencor mbi efektet negative klimatike të djegies së hidrokarbureve. Por nga vitet 1990 e këtej, ajo mbrojtje nuk mund të qëndrojë.

Mosha e përgjegjësisë së mundshme ka filluar kështu rreth 30 vjet më parë, kur Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike dhe të tjerët filluan të krijonin një grup kërkimesh shkencore të besueshme. Dhe tani, epoka e përgjegjësisë reale klimatike është pranë nesh. Për kompanitë e përfshira – veçanërisht ato që i nënshtrohen ligjeve dhe vendimeve politike të ekonomive të përparuara – një përgjegjësi e tillë është kërcënim ekzistencial. Është analoge me Marrëveshjen Master Settlement që zgjidhi konfliktin midis së duhanit dhe 46 prokurorëve të përgjithshëm të shtetit amerikan mbi përgjegjësinë për kostot mjekësore që lidhjen me pirjen e duhanit.

Mirëpo, teksa kjo zgjidhje kërkonte që kompanitë të paguanin një total prej 206 miliardë dollarësh gjatë 25 vjetëve, ndryshimi i klimës dhe kostot e lidhura me të janë shumë më të mëdha. Rreziqet janë globale dhe ato janë ende në rritje, sepse emetimet vazhdojnë të rriten. Në fakt, më e keqja nuk ka ardhur ende, dhe kostot e mundshme janë pothuajse përtej llogarive.

Me siguri, do të ketë betejë të egër ligjore. Mirëpo thjesht duke pranuar përgjegjësinë për kostot globale të ndryshimeve klimatike në parim, palët në Konventën Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimatike e kanë lënë xhindin jashtë llambës. Kompanitë e karburanteve fosile dhe investitorët e tyre nuk do të jenë në gjendje të pretendojnë se nuk ishin paralajmëruar.

Vërtet, COP27 la shumë pjesëmarrës dhe vëzhgues të zhgënjyer. Shkencëtarët e klimës, aktivistët dhe të tjerët janë të tronditur kuptueshëm që urgjenca e ndryshimit të klimës po injorohet dhe se çështjet më të menjëhershme, si kriza e kostos së jetesës dhe lufta e Rusisë në Ukrainë, po tërheqin vëmendjen e politikëbërësve dhe publikut. Por realiteti është se COP27 ka të ngjarë të mbahet mend si një moment i rëndësishëm. Tani që bota e zhvilluar më në fund ka pranuar një shkallë të përgjegjësisë financiare për humbjet dhe dëmet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike, debati më i gjerë klimatik do të kthehet tani e tutje në çështjen e përgjegjësisë. Dhe kjo, nga ana tjetër, mund të ndryshojë rrënjësisht stimujt e protagonistëve kryesorë.

(Nick Butler, profesor vizitor në King’s College në Londër, është kryetar themelues i Institutit të Politikave të Mbretit dhe kryetar i Promus Associates. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)