Anëtaret e korit Rusina dhe Holtseva thanë se nuk kanë ndonjë plan konkret për karrierë. Ato vunë në dukje se as nuk e dinë se çfarë do të bëjnë nesër. Por mes tmerreve të luftës, kori Shchedryk është bërë "vendi i tyre i sigurt". “Ne thjesht nuk mendojmë për luftën apo situatën tonë. Ne vetëm këndojmë, jemi bashkë me miqtë tanë, me familjen tonë”, tha Rusina
Kopenhagë, Danimarkë (AP) - Nga një strehimore e lagësht nga bombat në Kiev deri te dritat e ndezura të skenave të teatrove të Evropës, himnet e një kori të të rinjve ukrainas që i thurin lavde lirisë janë një lloj balsami shërues për anëtarët e tij të lënduar shpirtërisht nga lufta.
Ansambli Shchedryk, i përshkruar si kori më i vjetër profesional i fëmijëve në Kiev, ishte në kryeqytetin danez për një performancë si pjesë e një turneu ndërkombëtar që i çoi ata gjithashtu në Sallën e famshme Carnegie të New Yorkut.
Jubile në kohë lufte
Ishte menduar të ishte pjesë e një viti të ngarkuar për të festuar 50 vjetorin e korit. Por pushtimi i Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt e ndryshoi gjithçka, me anëtarët që u shpërndanë brenda atdheut të tyre dhe jashtë vendit në kërkim të sigurisë. Disa anëtarë thonë se kanë humbur miqtë dhe familjen në luftime.
"Është shumë e vështirë të mblidhen fëmijët", tha Marianna Sablina, drejtoresha artistike e korit dhe dirigjentja kryesore, nëna e së cilës themeloi korin në vitin 1971. Disa nga anëtarët janë "jashtë kufijve të Ukrainës, dhe vetëm rreth një e treta e forumit aktualisht jeton në Kiev”.
Në fillim të këtij viti, kori arriti të mblidhej përsëri dhe filloi provat në Pallatin Kombëtar të Arteve të Kievit.
Pasojat e luftës shpesh pamundësuan provat. Kur Kievi u bombardua dhe pësoi ndërprerje të energjisë elektrike, sirenat e sulmit ajror e detyruan korin të mblidhej në një strehimore të errët nga bombat, duke ndriçuar mjedisin me çdo burim drite që mund të gjenin.
"Kur ka sirena, ne shkojmë në strehimore dhe thjesht këndojmë me dritat e telefonave tanë dhe elektrikët e dorës", tha anëtarja e korit, 15-vjeçarja Anastasiia Rusina, familja e së cilës iku në Ukrainën perëndimore pas pushtimit.
“Mendoj se po mësohemi disi me të, sepse është detyra jonë ta bëjmë. Kemi një koncert, kështu që nuk mund të anashkalojmë asnjë provë”, tha ajo.

Shpresë e dashuri
Publiku në Kishën e Frymës së Shenjtë të Kopenhagës së fundmi dëgjoi zërat e lartë të korit, të përbërë kryesisht nga vajza adoleshente të veshura me fustane bardh e zi të theksuar me kuadrate kuq e zi në mëngët e tyre dhe rruaza shumëngjyrëshe rreth qafës.
“Unë sinqerisht shpresoj se koncerti këtu do të dërgojë një mesazh dashurie dhe shprese dhe gjithashtu simpati dhe mbështetje për të gjitha familjet ukrainase”, tha Nataliya Popovych, bashkëthemeluese e Shtëpisë së Ukrainës në Kopenhagë, organizatë e shoqërisë civile që solli grupin në Danimarkë. “Shpresojmë që vitin e ardhshëm, të gjitha familjet ukrainase do të jenë në gjendje të festojnë Krishtlindjet siç duhet”, shtoi ajo.
Në thelb të performancës ishte kënga "Carol of the Bells", ndoshta më e njohur nga filmi i Krishtlindjes i vitit 1990 "Home Alone".
Kënga u soll fillimisht nga kompozitori ukrainas, Mykola Leontovych, në fillim të viteve 1900. Emri i korit, "Shchedryk", vjen nga titulli ukrainas i këngës.
"Ne duhet t'u përçojmë njerëzve se kultura jonë është kaq e rëndësishme për botën tonë", tha Polina Holtseva, një tjetër anëtare 15 vjeçe e korit, familja e së cilës ka qëndruar në Kiev gjatë gjithë konfliktit.
“Është kultura jonë, janë këngët tona dhe është kaq e mahnitshme që kemi mundësinë t'jua japim këtë muzikë”, tha ajo.
Anëtaret e korit, Rusina dhe Holtseva thanë se nuk kanë ndonjë plan konkret për karrierë. Ato vunë në dukje se as nuk e dinë se çfarë do të bëjnë nesër. Por mes tmerreve të luftës, kori Shchedryk është bërë "vendi i tyre i sigurt".
“Ne thjesht nuk mendojmë për luftën apo situatën tonë. Ne vetëm këndojmë, jemi bashkë me miqtë tanë, me familjen tonë”, tha Rusina.
Përktheu: Forca Jashari
LEG2: Anëtarët e korit të të rinjve Shchedryk performojnë gjatë një koncerti Krishtlindjeje në dhjetor Danimarkë