Në pamundësi për t’i ruajtur trupat e të vrarëve në morg, autoritetet e Buchas kanë varrosur civilët e vrarë në oborrin e kishës. Prifti ka thënë se qentë kishin filluar t’i copëtonin trupat e civilëve, shumica të qëlluar në kokë nga ushtarët rusë. 67 trupa janë varrosur në varrezë masive, në oborrin e kishës së Buchas në veri të Kievit
Evakuimet e civilëve kanë vazhduar nga lindja e Ukrainës edhe të shtunën, vetëm një ditë pasi nga bombardimi i stacionit të trenave mbetën të vdekur 52 persona dhe qindra të tjerë të lënduar.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka kërkuar reagim më të ashpër botëror pas bombardimit të stacionit të trenave në Kramatorsk. Bombardimin e ka cilësuar si shembull i radhës i krimeve të luftës nga forcat ruse. Zelenskyy ka përsëritur se këto krime duhet të nxisin Perëndimin që të ndihmojë edhe më shumë Ukrainën që ta mbrojë veten.
“Të gjitha përpjekjet duhet të bëhen në drejtimin se kush i bëri, kush i urdhëroi dhe nga erdhën ato raketa”, ka thënë Zelenskyy në adresimin e tij gjatë mbrëmjes.
Rusia ka mohuar se është përgjegjëse për bombardimin dhe ka akuzuar ushtrinë ukrainase se organizoi bombardimin e civilëve në stacionin e trenave.
Ekspertët perëndimorë dhe autoritetet ukrainase kanë insistuar se Rusia kreu bombardimet. Në raketë ishin të shkruara fjalët “Për fëmijët” në gjuhën ruse.
Me trenat që nuk lëvizën nga Kramatorsku të shtunën, banorët në panik hipën nëpër autobusë ose kërkuan mënyra të tjera për të ikur nga frika prej sulmeve të reja ajrore nga pushtuesit rusë.
“Ishte e frikshme. Tmerr, tmerr”, ka thënë një banor, duke kujtuar sulmin në stacionin e trenit.
Kompania shtetërore e hekurudhave në Ukrainë, në një deklaratë të shtunën, ka thënë se banorët e Kramatorskut dhe pjesëve të tjera të rajonit të kontestuar të Donbasit mund të largohen përmes stacioneve të tjera. Zëvendëskryeministrja Iryna Vereshchuk ka thënë se 10 korridore evakuimi janë planifikuar për të shtunën.
Rusia ka tërhequr trupat e saj nga veriu i Ukrainës dhe është përqendruar në Donbas pasi nuk arriti ta pushtojë kryeqytetin, Kievin. Analistët ushtarakë perëndimorë kanë thënë se një hark i gjatë territori ishte nën kontrollin rus nga Kharkivi - qyteti i dytë më i madh i Ukrainës në veri e deri në Kherson në jug. Mirëpo, ushtarët ukrainas vazhduan t’i zmbrapsin sulmet dhe të mbajnë terren, sipas vlerësimeve perëndimore.
Të shtunën, kryeministri britanik, Boris Johnson, dhe Zelenkyy u takuan në Kiev në atë që Zyra e Johnsonit ka thënë se ishte “shfaqje solidariteti me popullin ukrainas”. Vizita e paparalajmëruar u realizua një ditë pasi Johnsoni premtoi 100 milionë funte në pajisje ushtarake të nivelit të lartë për Ukrainën.
Krimet në Bucha
Sulmi në stacionin e trenit ka ndodhur në kohën kur autoritetet ukrainase po punonin për t’i identifikuar viktimat dhe dokumentuar krimet e mundshme të luftës nga ushtarët rusë në Ukrainën veriore. Kryetari i Bashkisë së Buchas, qytet afër Kievit, ku u shfaqën prova të tmerrshme të vrasjeve civile pasi rusët u tërhoqën, ka thënë se ekipet e kërkimit ende po gjenin trupat e njerëzve të vrarë nga distanca e afërt nëpër oborre, parqe dhe sheshet e qytetit.
Në pamundësi për të ruajtur trupat e të vrarëve në morg, autoritetet e Buchas kanë varrosur civilët e vrarë në oborrin e kishës. Prifti ka thënë se qentë kishin filluar t’i copëtonin trupat e civilëve, shumica të qëlluar në kokë nga ushtarët rusë. 67 trupa janë varrosur në varrezë masive në oborrin e kishës së Buchas në veri të Kievit.
Në qytetin e vogël ushtria ukrainase dhe gazetarët kanë gjetur dhjetëra trupa të njerëzve që dyshohet se janë vrarë nga ushtarët rusë gjatë tërheqjes.
Kryeprokurorja e Ukrainës, Iryna Venediktova, ka thënë se 18 trupa të tjerë janë gjetur në Bucha. 16 prej tyre janë vrarë nga afër, ndërsa 2 të tjerë kanë pasur plagë të bombave.
“Jemi duke bërë zhvarrosjen. Do të gjejmë 67 trupa. Tashmë kemi nxjerrë 18 prej tyre. Dy janë gra, ndërkaq të tjerët janë burra. Çfarë do të thotë kjo? Tregon se ushtarët rusë kanë vrarë civilë”, ka thënë Venediktova.
Qeset e zeza janë vendosur në radhë. Kryeprokurorja është duke hetuar mënyrën e vrasjes së civilëve si krim i mundshëm i luftës.
“Është e rëndësishme që të hetojmë. Kemi hapur 5 mijë raste për krime lufte. Kemi ftuar edhe Gjykatën Ndërkombëtare që do të hetojë në Ukrainë dhe do ta shohë me sy të vet çfarë ka ndodhur”, ka thënë kryeprokurorja ukrainase.
Prifti i qytetit ka thënë se të mbijetuarit janë detyruar t’i varrosin të vdekurit për shkak të qenve.
“Ishin 67 trupa. Trupat qëndruan nëpër rrugë dhe qentë filluan t’i hanin. Morgu nuk kishte rrymë elektrike dhe frigoriferët nuk punonin. Ishte e nevojshme të bënim diçka. Mundësia e vetme ishte t’i varrosnim këtu. Nuk patëm mundësi t’i varrosnim me dinjitet”, ka thënë prifti Andrri Halavin.
Të premten, presidentja e Komisionit Evropian, Urula Von der Leyen, dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borell, kanë parë me sy tmerrin që ka ndodhur në Bucha.
Gjatë vizitës së tyre në Kiev, zyrtarët e lartë të BE-së kanë shkuar edhe në Bucha, vendin e krimit të kryer nga ushtarët rusë. Von der Leyen ka thënë se në Bucha ka ndodhur e paimagjinueshmja.
Kryetari i Buchas, Anatoliy Fedoruk, ka thënë se së paku tri varreza masive janë gjetur në qytet.