Botë

“Thertorja” e Damaskut

Burgu

Qindra sirianë brohoritën kur burrat me vare dhe lopata goditën një shtyllë të madhe në atriumin e ndërtesës së burgut, duke menduar se kishin gjetur një qeli sekrete. Të tjerë vrapuan për të parë se çfarë kishte brenda. Por nuk kishte asgjë, dhe lotët e psherëtimat e forta zëvendësuan shpresat

Ata erdhën nga e gjithë Siria, dhjetëra mijëra prej tyre. Vendi i parë ku ata nxituan të shkojnë, pas rënies së ish-presidentit Bashar al-Assad, ishte ky: Burgu Saydnaya, vend i njohur për tmerret e tij, saqë prej kohësh madje cilësohej si “thertore”. 

Qe dy ditë, të gjithë kanë kërkuar për shenja të njerëzve të tyre të dashur që u zhdukën vite apo edhe dekada më parë në burgun, i cili ndodhet shumë afër Damaskut.

Por, të hënën, shpresa ia la vendin dëshpërimit. Njerëzit hapën dyert e rënda prej hekuri, që ndanin korridoret, për të gjetur qelitë brenda bosh. Me vare e lopata, burrat godisnin dyshemenë e muret, duke kërkuar atë që ata besonin se ishin biruca sekrete, ose edhe ndiqnin zërat që mendonin se dëgjonin nga nëntoka. Nuk gjetën asgjë.  

Kryengritësit liruan dhjetëra njerëz nga burgu ushtarak Saydnaya të dielën kur Damasku ra në duart e tyre. Që atëherë, pothuajse askush tjetër nuk është gjetur.

“Ku janë të gjithë? Ku janë fëmijët e të gjithëve? Ku janë ata?”, tha Ghada Assad, tek shpërtheu në vaj.  
Ajo ishte nisur me nxitim nga shtëpia e saj në Damask për në burgun në periferi të kryeqytetit, me shpresën për të gjetur vëllain e saj. Ai u arrestua në vitin 2011, vit kur protestat kundër sundimit të ish-presidentit, përpara se të ktheheshin në një luftë civile të gjatë dhe rraskapitëse, shpërthyen për herë të parë. Ajo nuk e dinte pse u arrestua ai.

“Më është djegur zemra për vëllain tim. Për 13 vjet vazhdova ta kërkoja”, tha ajo. Kur kryengritësit pushtuan Halepin – vendlindjen e saj – që në fillim të ofensivës së tyre fitimtare, “u luta që ata të arrinin në Damask vetëm që të mund ta hapnin këtë burg”, shtoi ajo.

“Shfarosja” e të burgosurve

Zyrtarët e Mbrojtjes Civile, që ndihmuan sirianët që të kërkonin të dashurit e tyre, ishin po aq të hutuar sa edhe familjet se pse nuk u gjetën të burgosur të tjerë. Dukej se javët e fundit, më pak të burgosur ishin mbajtur në burg, thanë ata. 

Pakkush po dorëzohej, një shenjë se sa i fuqishëm duket burgu Saydnaya në mendjet e sirianëve. Ndjenja e humbjes së të dashurve të tyre dhe shpresa e papritur që ata mund të gjenden, sollën një lloj uniteti të errët mes sirianëve nga i gjithë vendi.

Gjatë sundimit të Assadit dhe veçanërisht pas fillimit të protestave të vitit 2011, çdo aluzion mospajtimi mund ta sillte dikë direkt në Saydnaya. Pak janë liruar ndonjëherë.

Në vitin 2017, “Amnesty International” vlerësoi se mes 10 mijë deri 20 mijë njerëz mbaheshin atje në atë kohë “nga çdo shtresë e shoqërisë”. Sipas raportit, të burgosurit ishin të paracaktuar në mënyrë efektive për “shfarosje”.

Mijëra u vranë përmes ekzekutimeve të shpeshta masive, raportoi “Amnesty International”, duke cituar dëshmitë e të burgosurve të liruar dhe zyrtarëve të burgut. Të burgosurit iu nënshtruan torturave të vazhdueshme, rrahjeve intensive dhe përdhunimeve. Pothuajse çdo ditë, rojet, me turne, mblidhnin nëpër qeli trupat e të burgosurve që kishin vdekur gjatë natës si pasojë e lëndimeve, sëmundjeve ose urisë. Disa të burgosur kaluan në psikozë dhe vuanin nga uria, sipas grupit të të drejtave të njeriut.

“Nuk ka asnjë shtëpi, nuk ka asnjë grua në Siri që nuk ka humbur të paktën një vëlla, një fëmijë apo një burrë”, tha Khairiya Ismail, 54 vjeçe. Dy nga djemtë e saj u arrestuan në ditët e para të protestave kundër Assadit. Edhe ajo vetë qe arrestuar.

Ismail, e akuzuar se ka ndihmuar djalin e saj që t’i shmangej shërbimit ushtarak, kaloi tetë muaj në burgun Adra, në verilindje të Damaskut. “Ata i arrestuan të gjithë”.
Rreth 150 mijë njerëz janë arrestuar ose zhdukur në Siri që nga viti 2011 dhe dhjetëra mijëra prej tyre besohet se kanë kaluar nëpër burgun Saydnaya.

Në kërkim të birucave sekrete

“Njerëzit prisnin që shumë më tepër të burgosur të ishin këtu ... Ata janë kapur për grimcën më të vogël të shpresës”, tha Ghayath Abu al-Dahab, zëdhënës i “Helmetave të Bardha”, grup i kërkim-shpëtimit që operoi në zonat e kontrolluara nga rebelët në të gjithë territorin e luftës.

Pesë ekipe të “Helmetave të Bardha”, me dy ekipe qensh, erdhën në Saydnaya për të ndihmuar kërkimin. Ata sollën edhe elektricistin e burgut, i cili kishte planimetrinë dhe kaloi nëpër çdo bosht, rrjet ventilimi dhe kanale të ujërave të zeza. Deri më tani, nuk ka pasur përgjigje, tha Abu al-Dahab.
Ai tha se Mbrojtja Civile kishte dokumente që tregonin se më shumë se 3.500 njerëz ishin në Saydnaya deri tre muaj para rënies së Damaskut. Por numri mund të ketë qenë më i vogël në kohën kur burgu u sulmua, tha ai.

“Ka burgje të tjera”, tha ai. “Regjimi e kishte kthyer të gjithë Sirinë në një burg të madh”. Të arrestuarit mbaheshin në agjenci sigurie, objekte ushtarake, zyra qeveritare dhe madje edhe universitete, shtoi ai.
Rreth ndërtesës kryesore në formën “Y” të burgut, të gjithë vazhduan të kërkonin, të bindur se mund të gjenin ndonjë dhomë të fshehtë me të burgosur, të vdekur apo të gjallë.

Dhjetëra burra u përpoqën të hapnin me forcë një derë metalike derisa e kuptuan se ajo i çonte vetëm në më shumë qeli në katin e sipërm. Të tjerë u kërkuan kryengritësve, që ruanin burgun, që të përdornin pushkët e tyre për të hapur një tjetër derë të mbyllur.

Burrat u mblodhën, dhe gërmuan atë që dukej si kanal ujërash të zeza në një bodrum. Gërmuan edhe në pjesën ku shtrihej rrjeti elektrik, duke menduar se ajo mund t’i çonte në dhoma të fshehta nëntokësore.

Në një moment gjatë ditës, qindra sirianë u dëgjuan të brohorisnin kur burrat me vare dhe lopata goditën një shtyllë të madhe në atriumin e ndërtesës së burgut, duke menduar se kishin gjetur një qeli sekrete. Të tjerë vrapuan për të parë se çfarë kishte brenda. Por nuk kishte asgjë, dhe lotët e psherëtimat e forta zëvendësuan shpresat.

Në reparte, rreshtat e qelive ishin bosh. Diku kishte batanije, diku tenxhere plastike ose emra të shkarravitur në mure. Dokumentet, disa me emra të burgosurish, u lanë të shpërndara në oborr, kuzhinë e gjetkë. Familjet i kërkuan emrat e të dashurve të tyre.

Një protestë e shkurtër shpërtheu në oborrin e burgut, kur një grup burrash filluan të brohorisnin: “Na sillni drejtorin e burgut”. Në rrjetet sociale kërkohej ndihmë nga kushdo që kishte informacion për qelitë sekrete të burgut.

Rezultati i kërkimeve

Firas al-Halabi, një nga të burgosurit që u lirua kur kryengritësit hynë për herë të parë në Saydnaya, ishte kthyer në atë vend, të hënën, për vizitë. Ata që kërkonin të dashurit e tyre, u dyndën rreth tij duke i treguar emrat e të afërmve, për të parë nëse ai i kishte takuar.

Al-Halabi, i cili kishte qenë rekrut i ushtrisë kur u arrestua, tha se kaloi katër vjet në një qeli me 20 të burgosur të tjerë.

Shujta e tij e vetme përbëhej nga një çerek copë buke dhe pak bullgur. Ai vuante nga tuberkulozi për shkak të kushteve të rënda në qeli. Ai u torturua përmes goditjeve me shok elektrik, tha ai, dhe rrahjet ishin të vazhdueshme.

“Gjatë kohës sa ishim në oborr, na rrihnin. Kur shkonim në banjë, na rrihnin. Nëse uleshim në dysheme, na rrihnin. Nëse shikonim dritën, na rrihnim”, tha ai. Një herë ai u dërgua në izolim vetëm sepse u lut në qelinë e tij.

“Gjithçka konsiderohej shkelje”, tha ai. “Jeta jonë ishte një shkelje e madhe për ta”.

Ai tha se gjatë vitit të parë sa ishte në burg, rojet thërrisnin qindra emra në ditë. Një oficer i tha atij se kjo bëhej për shkak të ekzekutimeve. 

Kur u lirua të dielën, ai mendoi se po ëndërronte. “Nuk e kishim menduar kurrë se do ta shihnim këtë moment. Menduam se do të ekzekutoheshim, një nga një”.

Noha Qweidar dhe kushërira e saj u ulën në oborr të hënën, për të pushuar pas kërkimeve të gjata. Burrat e tyre u arrestuan në vitet 2013 dhe 2015. Qweidar tha se të burgosur të tjerë i kishin thënë asaj se burri i saj u ekzekutua në grup.

Por ajo nuk ishte e sigurt për këtë gjë. Të burgosurit e raportuar të vdekur në të kaluarën kanë dalë të gjallë.

“Kam dëgjuar që ai është ekzekutuar, por kam ende shpresë se ai është gjallë”.
Të hënën, pak para perëndimit të diellit, ekipet e shpëtimit sollën një ekskavator për të gërmuar edhe më thellë.

Por natën vonë, “Helmetat e Bardha” njoftuan përfundimin e kërkimeve të tyre, duke deklaruar se nuk kishin gjetur zona të fshehta në objekt.

“Ne ndajmë zhgënjimin e thellë me familjet e mijërave që mbeten të zhdukur dhe fati i të cilëve nuk dihet”.