Ekipi grek i shpëtimit, i cili përbëhej nga 22 shpëtimtarë, u largua nga Stambolli me duartrokitje. Anëtarët e ekipit u përloten dhe thanë se bënë më të mirën, shkruan DailySabah.
Guvernatorja e Stambollit, Bozkurt Gevrek, i ndau një pllakë mirënjohje ekipit grek dhe i përqafoi anëtarët duke i falënderuar një nga një. Shefi i ekipit Yannis Papastathis falënderoi popullin turk për mikpritjen e tyre.
“Kur pamë magnitudën e tërmetit, dhimbja jonë ishte e madhe. Ne u përpoqëm dhe bëmë atë që mundëm. Morëm shumë vëmendje nga populli turk. U ndjemë të sigurt dhe çdo gjë që kishim nevojë u plotësua. Që në momentin e parë erdhëm në Turqi, njerëzit e kuptuan pse erdhëm dhe na duartrokitën gjatë gjithë kohës”, ka thënë Papastathis.
Punonjësit e aeroportit dhe pjesëtarët e policisë në aeroportin e Stambollit u rreshtuan teksa shpëtuesit grekë kalonin aty dhe u duartrokitën për disa minuta dhe të pranishmit e tjerë iu bashkuan duartrokitjeve.
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, ishte zyrtari i parë i huaj që vizitoi Turqinë pas tërmetit që shkatërroi jugun e vendit.
Tërmeti ka bërë bashkë dy vende me një rivalitet të gjatë historik dhe shumë çështje të hapura të pazgjidhura, të paktën për një kohë.
Edhe
Banorët e Stambollit kalojnë natën jashtë nga frika e tërmetit
Turqia dhe Greqia janë në mosmarrëveshje për disa çështje, duke përfshirë kufijtë detarë, hapësirën ajrore, energjinë, ishullin e ndarë etnikisht të Qipros, statusin e ishujve në detin Egje dhe çështjen e emigrantëve.
Tërmetet që goditën Turqinë dhe Sirinë javën e kaluar lanë mbi 41 mijë të vdekur.