Televizioni shtetëror i Bjellorusisë ka njoftuar se liderja e protestave në këtë vend, Maria Kolesnikova, është parë teksa e ka kaluar kufirin dhe ka dalë në Ukrainën fqinje në orët e para të së martës, raporton Reuters.
Sipas televizionit bjellorus, ajo ishte së bashku me dy liderë tjerë të opozitës në veturë.
Lëvizja opozitare në Bjellorusi njoftoi gjatë ditës së djeshme se Kolesnikova ishte rrëmbyer nga persona të maskuar dhe se nuk dihej vendndodhja e saj. Kjo nxiti reagimin e shteteve perëndimore që kërkuan lirimin e të gjithë të burgosurve politikë në Bjellorusi.
Në Bjellorusi tash e disa javë po protestohet kundër presidentit Alexander Lukashenko, i cili udhëheq me vendin që nga viti 1994. Ai fitoi zgjedhjet në fillim të gushtit, por opozita thotë se i manipuloi ato.
Liderja kryesore opozitare, e cila ishte edhe kundërkandidate e Lukashenkos, Svetlana Tikhanovskaya, ka ikur në Lituani menjëherë pa zgjedhjeve.