Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Burgim afatgjatë për dy figurat opozitare në Bjellorusi

Dy figurat e njohura të opozitës në Bjellorusi, që kishin kontestuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në këtë vend, janë shpallur fajtorë ndaj akuzave se kanë tentuar të rrezikojnë sigurinë nacionale dhe ta marrin pushtetin, raporton BBC.

Organizatorja e protestave anti-Qeveri, Maria Kolesnikova është dënuar me 11 vjet burgim, ndërsa juristi Maxim Znak me 10 vjet burgim.

Ata iu bashkuan këshillit të opozitës pasi presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, siguroi fitoren në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, rezultati i të cilave u kontestua.

Të hënën, një gjykatë në Minsk, ka shpallur fajtorë Kolesnikovan e Znakun për tentim për të marrë pushtetin, po ashtu për kërcënim të sigurisë nacionale dhe për ekstremizëm. Të dy kanë mohuar akuzat ndaj tyre. Avokatët kanë thënë se do të apelojnë ndaj vendimit.

Për muaj me radhë, bjellorusët protestuan kundër rezultatit të zgjedhjeve të gushtit të vitit të kaluara, rezultate që u kontestuan edhe nga BE-ja, SHBA-ja e Britania e Madhe, duke thënë se zgjedhjet nuk ishin të lira e fer.

Dhjetëra mijëra protestues u arrestuan e shumë u rrahën brutalisht, ndërsa Lukashenko, që është në pushtet që nga viti 1994, tentoi të heshte kundërshtarët.
Gazetarë e aktivistë të pavarur janë arrestuar në shtypje që vazhdoi gjatë vitit, ku janë afro 650 të burgosur politikë nëpër burgje, thonë aktivistët.