Botë

Të rinjtë holandezë kundërshtojnë orën policore, djegin qendrën e testimit për COVID-19

Të rinjtë që protestuan natën e parë të orës policore në Holandë, kanë djegur një objekt testimi për koronavirus dhe hodhën fishekzjarrë ndaj policisë në një fshat holandez.

Policia bëri të ditur se ka arrestuar 25 persona dhe ka gjobitur më shumë se 3600 në të gjithë vendin për thyerje të orës policore që filloi në orën 23:00 të së shtunës dhe vazhdoi deri në 4:30 të mëngjesit të së dielës, raporton AP.

Pamjet nga fshati që është 80 kilometra larg kryeqytetit holandez, Amsterdam, tregojnë disa të rinj teksa thyejnë ndërtesën ku bëhen testime për COVID-19.

Policia dhe komuna kanë lëshuar të dielën një komunikatë ku kanë shprehur zemërimin me protestuesit të cilët kanë gjuajtur fishekzjarrë dhe gurë në drejtim të veturave të policisë.

“Kjo është e papranueshme e po ashtu një shuplakë sidomos për autoritetet lokale të shëndetit të cilat po mundohen shumë në qendrën e testimit për t’i ndihmuar njerëzit nga virusi”, thanë autoritetet lokale sipas të cilave ora policore mund të zbatohet gjatë gjithë javës.