Botë

Të paktën 3 të vrarë e dhjetëra të lënduar nga sulmet ruse në Kharkiv të Ukrainës

kharkiv

Foto: Associated Press

Të paktën 3 persona janë vrarë dhe 21 të tjerë janë lënduar si pasojë e sulmeve ruse mbi qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, ka njoftuar kryetari i po këtij qyteti, Ihor Terekhov.

Sipas tij, Rusia ka lëshuar rreth 48 dronë, dy raketa balistike dhe katër bomba lëvizëse në drejtim të qytetit brenda një nate, ka raportuar BBC.

Ai ka deklaruar se sulmet kanë shkaktuar “shumë dëme”, ndërsa tre ndërtesa banimi shumëkatëshe janë goditur.

Sulme të fuqishme ndodhën në të gjithë Ukrainën natën e kaluar, ku u vranë të paktën gjashtë persona dhe u lënduan 80 të tjerë.

Kjo pason sulmin e madh me dronë të Ukrainës ndaj bazave ushtarake ruse në fundjavën e kaluar. Pas atij sulmi, presidenti amerikan, Donald Trump, pati thënë se homologu i tij rus, Vladimir Putin, ishte zotuar se do të kundërpërgjigjej.