Botë

Të paktën 17 të plagosur në Rusi nga sulmet me dronë të Ukrainës

UKRAINE

Të paktën 17 persona u plagosën teksa shtëpi dhe disa ndërtesa të tjera u dëmtuan nga sulmet ajrore me dron të Ukrainës ndaj rajoneve ruse të Lipetskut dhe Voronezhit, kanë njoftuar autoritetet ruse të martën.

Njësitë e Mbrojtjes Ajrore kanë shkatërruar afro 12 dronë mbi rajonin e Voronezhit, që kufizohet me Ukrainën, ka bërë të ditur guvernatori, Alexander Gusev, përmes rrjetit social Telegram.

Sipas tij, 16 persona, përfshirë një adoleshent, janë plagosur si rezultat i sulmit.

Ndërtesat rezidenciale në qytetin e Voronezhit dhe rrethinat e tij u dëmtuan, si dhe objektet tregtare në të gjithë rajonin.

Në qytetin e Yeletsit të rajonit të Lipetskut, disa dronë ranë mbi një zonë industriale, duke lënë të plagosur një person, ka thënë guvernatori rajonal, Igor Artamonov.

Në Ministrinë ruse të Mbrojtjes ka në njoftuar se njësitë e saj i kanë shkatërruar rreth 55 dronë ukrainas brenda natës në pesë rajone ruse dhe në Detin e Zi, përfshirë tre mbi rajonin e Lipetskut.

Nuk ka pasur ende komente nga zyrtarët ukrainas për sulmet.

Të dyja palët mohojnë se kanë synuar civilët në sulmet dhe bombardimet e tyre gjatë luftës që Rusia e nisi kundër Ukrainës më shumë se tre vjet më parë. Mijëra civilë kanë vdekur në konflikt, shumica prej tyre ukrainas.