Sulmet me dronë nga Ukraina gjatë natës vranë tre persona, kanë njoftuar zyrtarët rusë.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka bërë të ditur se mbrojtja ajrore rrëzoi ose shkatërroi 112 dronë në tetë rajone ruse dhe në Krimenë, që kontrollohet nga Rusia.
Në rajonin Rostov, afër kufirit me Ukrainën, një person u vra nga një dron, sipas guvernatorit të përkohshëm Yuri Slyusar, raporton AP.
Në rajonin Penza, më larg nga vijat e frontit, një grua u vra dhe dy persona të tjerë u plagosën nga një dron që goditi një ndërtesë biznesi, tha guvernatori Oleg Melnichenko.
Në rajonin Samara, copat e një droni që ra ndezën një zjarr, ku një e moshuar humbi jetën, sipas guvernatorit Vyacheslav Fedorishchev.
Nga ana tjetër, forcat ajrore ukrainase thanë se Rusia lëshoi 53 dronë drejt Ukrainës gjatë natës. Ata thanë se mbrojtja ajrore ukrainase rrëzoi 45 prej tyre.
Në rajonin e Kharkivit, 11 persona u plagosën nga një sulm me dronë gjatë natës, tha guvernatori Oleh Syniehubov.
Këto sulme ndodhën një ditë pas ditës së zisë në kryeqytetin ukrainas, Kiev, ku një sulm me dronë dhe raketa nga Rusia vrau 31 persona, përfshirë pesë fëmijë, dhe plagosi më shumë se 150 të tjerë.