Agjencia e Mbrojtjes Civile ka njoftuar të martën se sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 20 palestinezë në Rripin e Gazës, teksa Ushtria e Izraelit ka zgjeruar operacionet tokësore në qytetin qendror të Deir al-Balah, ka raportuar AFP.
Zëdhënësi i agjencisë, Mahmud Bassal, ka thënë për AFP-në se sulmet izraelite mbi kampin al-Shati në perëndim të qytetit të Gazës kanë lënë të vrarë të paktën 13 persona dhe kanë plagosur më shumë se 50 të tjerë.
Shumica dërrmuese e popullatës palestineze është shpërngulur të paktën një herë gjatë 21-muajve të konfliktit dhe se kampi al-Shati, në bregdetin mesdhetar, ka strehuar mijëra persona të zhvendosur nga veriu i enklavës.
Bassal ka bërë të ditur se dy persona të tjerë kanë humbur jetën në Deir al-Balah, ku shtabi ushtarak i Izraelit pati njoftuar se do të zgjeronte operacionet tokësore, duke urdhëruar paraprakisht evakuimin e pjesës më të madhe të zonës.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) ka vlerësuar se ndërmjet 50,000 dhe 80,000 njerëz po jetonin në këtë zonë, e cila deri më tani ishte konsideruar relativisht e sigurt. Rreth 30,000 prej tyre po qëndronin nëpër qendra strehimi për të zhvendosurit.
Në OCHA kanë njoftuar se pothuajse 88 për qind e të gjithë Rripit të Gazës tanimë ndodhet ose nën urdhra evakuimi, ose brenda zonave të militarizuara nga Izraeli, duke e detyruar popullsinë prej 2.4 milionë banorësh të grumbullohet në hapësira gjithnjë e më të ngushta.
