Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

“Të gjithë e donin njëri-tjetrin”: ngritja e Jugonostalgjisë

Derisa shumë qytetarëve të ish-Jugosllavisë u mungojnë çmimet e ulëta dhe reputacioni botëror, të tjerët janë kundër ndjenjës së tepruar romantike për epokën e Titos

Beograd (Guardian) - Në njërën prej ditëve të fundit në Beograd, teksa po perëndonte dielli, autobusët u nisën drejt Muzeut të Jugosllavisë, bllok imponues i messhekullit të kaluar në kryeqytetin serb. U shfaq një lumë njerëzish, disa që mbanin lule dhe disa duke valëvitur flamurin e vjetër të vendit. Ata kishin ardhur për të vizituar mauzoleun ku ndodhet varri i Josip Broz Titos, themeluesit të Jugosllavisë socialiste.

“Ishte një kohë e mrekullueshme”

Shumë nga vizitorët ishin rritur nën sistemin e vjetër dhe kishin ardhur për të shënuar ditëlindjen e diktatorit, e cila ishte një festë e madhe publike para shpërbërjes së Jugosllavisë. Disa u përkisnin partive politike të ekstremit të majtë dhe mbanin bluza dhe pankarta me pamje kiçi.

Por kishte edhe pak të rinj. Në shkallët afër ekspozitës së posaçme që kujtonte vitet e Titos nëpërmjet posterëve, veprave të artit, artefakteve dhe kujtimeve të regjistruara të "njerëzve të thjeshtë", takova 18-vjeçarin Milosh Tomçiq me kapelën dhe shallin e "pionierëve", shenja të lëvizjes rinore socialiste.

"Doja të shihja një foto të asaj kohe", tha ai, kur e pyeta pse kishte ardhur. “Ishte një kohë e mrekullueshme. Të gjithë e donin njëri-tjetrin”. A e konsideronte veten serb apo jugosllav? "Jugosllav", u përgjigj ai pa hezitim. “Mamaja ime është serbe, babai malazez, gjyshja kroate. Në fakt, familja ime është nga e gjithë Jugosllavia”.

Edhe Arratisja nga vendi i kaosit etnik Shtojca për Kulturë 2 muaj më parë Arratisja nga vendi i kaosit etnik

Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, e përbërë nga gjashtë republika – Serbia, Kroacia, Bosnje-Hercegovina, Sllovenia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut – plus dy rajone autonome – Kosova dhe Vojvodina – u krijua nga Tito në 1945.

Shteti i Titos synonte të bashkonte grupet e ndryshme etnike dhe fetare të rajonit nën sloganin e “Vëllazërim-Bashkimit”. Rritja e nacionalizmit pas vdekjes së tij më 1980 çoi në shpërbërjen e saj më 1992 dhe në luftërat e përgjakshme jugosllave të viteve 1990.

81 për qind e serbëve vajtojnë prishjen e Jugosllavisë

Një rrëfim i zakonshëm gjatë këtyre viteve ishte se Tito, për gati gjysmë shekulli, kishte detyruar popuj të ndryshëm të jetonin së bashku kundër dëshirës së tyre. Por 30 vjet më vonë, shumë njerëz ende kanë dashuri të thellë për vendin që nuk ekziston më dhe pendohen për shpërbërjen e tij.

Në Serbi, 81% thonë se besojnë se shpërbërja ishte e keqe për vendin e tyre. Në Bosnje, e cila ishte gjithmonë republika më multikulturore e republikave, 77% ndajnë këtë ndjenjë. Edhe në Slloveni, e cila ishte vendi i parë ish-jugosllav që u anëtarësua në Bashkimin Evropian dhe konsiderohet gjerësisht si më "i suksesshmi", 45% ende thonë se shpërbërja ishte e dëmshme. Çuditërisht, vetëm 10% të qytetarëve në Kosovë, e cila nuk kishte pavarësi të plotë në Jugosllavi, u vjen keq për shpërbërjen.

Dashuria për sistemin e vjetër shpesh quhet "Jugonostalgji". Megjithatë, Larisa Kurtoviq, antropologe politike nga Sarajeva që studion identitetin post-jugosllav në Bosnje, është e kujdesshme në lidhje me termin. “Nostalgjia nënkupton një lloj melankolie apo malli”, thotë ajo. Natyrisht që kjo ekziston, me shumë restorante dhe bujtina në mbarë rajonin, si kafeneja e famshme Tito në Sarajevë, e zbukuruar me relike të bukura dhe që paraqet një pamje rozë të epokës. Por Kurtoviqi thotë se ka edhe një lëvizje të të rinjve që e shikojnë më me kritikë këtë periudhë, duke vlerësuar sa pozitive, aq edhe negative.

Zhgënjimi i shkaktuar nga “premtimet e dështuara”

"Ka një vlerësim të madh për periudhën socialiste dhe është i lidhur me rritjen ekonomike dhe përmirësime të mëdha në standardet e jetesës," thotë ajo, duke shtuar se "premtimet e dështuara" të projektit jugosllav zbehen në krahasim me nacionalizmin dhe dhunën që pasuan. Shumica e shteteve ish-jugosllave kanë përjetuar rënie të madhe ekonomike që nga luftërat dhe ende vuajnë nivele të larta të ikjes së trurit.

Në veçanti, Bosnja dhe Serbia janë të rrënuara nga grindjet politike, dhe shtëpitë e tyre dikur utopike brutaliste dhe hekurudhat e ndërtuara nga Jugosllavia janë duke u prishur. Edhe pse Kroacia dhe Sllovenia kanë arritur stabilitet relativ si anëtare të BE-së, aplikimet e vendeve të tjera kanë ngecur dhe negociatat kanë dështuar të materializohen, duke ngritur dyshime nëse do t'i bashkohen ndonjëherë bllokut.

Në këtë sfond, disa pyesin veten nëse e kaluara mund të ofrojë ndonjë zgjidhje për të ardhmen. Kurtoviqi citon lëvizjet për të drejtat e punëtorëve që kanë lindur në Bosnje gjatë dekadës së fundit, bazuar në modelin e vjetër socialist jugosllav të vetorganizimit të punëtorëve. "Ky sistem ishte shumë specifik për Jugosllavinë", thotë ajo, duke shpjeguar divergjencën e tij nga pronësia shtetërore staliniste e industrisë.

Pasaporta “globale” e Titos

Megjithëse Jugosllavia ishte një shtet njëpartiak, kishte dallime të dukshme nga vendet e tjera të perdes së hekurt. Tito themeloi lëvizjen e të painkuadruarve dhe mbajti marrëdhënie të balancuara midis perëndimit dhe BRSS-së, dhe qytetarët jugosllavë mund të udhëtonin në secilin rajon. Forca e pasaportës së vjetër jugosllave përmendet nga shumë prej atyre që takoj duke vizituar varrin e Titos, të cilët tani kërkojnë viza për të hyrë në shumicën e vendeve.

Një tjetër temë e zakonshme që Kurtoviqi e sheh është humbja e statusit dhe perceptimi se njerëzit kanë kaluar nga të jetuarit në një vend relativisht të madh dhe të respektuar në një vend shumë më të vogël dhe më pak të rëndësishëm.

George Peraloc ka lindur në Maqedoni (tani Maqedonia e Veriut) në 1989, por aktualisht jeton në Bangkok. “Sa herë që më duhet të bëj diçka burokratike si hapja e një llogarie bankare këtu, ata kurrë nuk mund ta gjejnë Maqedoninë e Veriut në sistemin e tyre, por mund të gjejnë Jugosllavinë”, më tha ai. “Nëse më pyet mua, ne ende mund të përfitojmë nga një federatë, edhe nëse nuk është Jugosllavia, sepse ne jemi shumë të vegjël dhe të parëndësishëm në vetvete”.

Ai beson se këto ndjenja janë të zakonshme mes njerëzve të moshës së tij, të cilët nuk kanë jetuar kurrë në sistemin e vjetër. “E gjithë infrastruktura jonë është e asaj periudhe, dhe tani ajo po shpërbëhet”, shton ai.

Edhe Kosova e vitit 1991 në sytë e Gjermanisë Shtojca për Kulturë 9 muaj më parë Kosova e vitit 1991 në sytë e Gjermanisë

Glorifikimi i diktaturës

Ka gjithashtu lëvizje në zhvillim që rishqyrtojnë trashëgiminë antifashiste, antinacionaliste të rajonit, të cilën luftërat e rishikuan ose u përpoqën ta fshinin. Janë shfaqur kore që këndojnë këngë të vjetra partizane, si në Ballkan ashtu edhe në komunitetet e diasporës.

Në Vjenë, kori i 29 Nëntorit, i quajtur sipas datës së shpalljes së Republikës Popullore Federale të Jugosllavisë në vitin 1945, përbëhet nga anëtarë nga të gjitha vendet ish-jugosllave. Qëllimi i tij fillestar ishte të sfidonte nacionalizmin që u ngrit në komunitetin e diasporës gjatë dhe pas luftërave. Klubet e punëtorëve jugosllavë, ku njerëzit më parë ishin takuar për të pirë kafe, për të biseduar dhe për të luajtur shah, ishin ndarë sipas përkatësisë etnike.

Anëtarët e korit vishen me xhaketa të kuqe dhe blu me yje, duke iu referuar flamurit të vjetër jugosllav, por ata shmangin këndimin e këngëve që lidhen me partinë komuniste ose që festojnë Titon.

"Ky është një vendim i vetëdijshëm sepse ne e dimë se po ndodh një glorifikim, gjë që është problematike", thotë dirigjentja Jana Dolecki, e cila është me origjinë nga Kroacia dhe u transferua në Vjenë në vitin 2013. "Plus, ata nuk kishin vërtet ndonjë këngë të mirë”, qeshet ajo.

Në vend të kësaj, anëtarët zgjedhin me kujdes meloditë që ata besojnë se mund të aplikohen në betejat aktuale politike si nacionalizmi në rritje dhe populizmi. “Ne përpiqemi të qëndrojmë larg revizionizmit historik”, thotë ajo. “Mund të hyni në këtë festë të së shkuarës, duke thënë gjithmonë se ishte më mirë, por duke mos reflektuar se çfarë do të thotë në të vërtetë ‘më mirë’”.

“Rritur në Çekosllovaki, Jugosllavia më dukej si një parajsë”

Kori ka ndihmuar disa anëtarë të eksplorojnë një periudhë të ndjeshme të historisë. Marko Markoviq, i cili ka lindur në Beograd, por është rritur në Vjenë, thotë se familja e tij refuzoi t’i diskutonte luftërat me të si fëmijë. “Ishte shumë e ndërlikuar për një shtatëvjeçar për ta kuptuar, ose kështu menduan ata”, kujton ai. "Kështu që gjithmonë kam pasur ndjenjën se historia e vendit nga kam ardhur është një temë tabu”. Kur mori vesh për korin, ndjeu se më në fund mund të merrte vesh sa gjëra.

Interneti gjithashtu ofron një portë për njerëzit që të rizbulojnë aspekte të anashkaluara të trashëgimisë së tyre. Disa llogari të njohura në Instagram përmbledhin mobilet, arkitekturën brutaliste dhe dizajnin grafik të asaj periudhe.

Peter Korchnak, i cili u rrit në Çekosllovakinë e atëhershme, lansoi podkastin "Kujtojmë Jugosllavinë" në vitin 2020. "Duke u rritur, Jugosllavia më dukej si një parajsë", thotë ai, duke shpjeguar se shumë njerëz që iknin nga regjimi çekosllovak do të iknin në Jugosllavi. Disidentët nga vendet e tjera komuniste, si Rumania e kohës së Çausheskut, shpesh bënin të njëjtën gjë.

“Ne pamë shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë ndërsa unë isha dëshmitar i shpërbërjes paqësore të vendit tim”, thotë ai. “Fillova të bëja krahasime, duke i krahasuar të dyja. Dhe thjesht u magjepsa prej saj”.

Korchnak është goditur emocionalisht për shkak të reagimeve që has te disa dëgjues. "Komenti më i mirë që kam dëgjuar është se është si një shërbim publik", thotë ai. “Dhe shumë njerëz thonë: ‘Për një kohë të gjatë më vinte turp të mendoja fjalën ‘Jugosllavi’. Disa kanë thënë se ka qenë madje si terapi”.

Romantizim i tepërt

Korchnak e sheh të habitshme dashurinë që shumë ish-jugosllavë kanë për sistemin e tyre të vjetër. “Mund të dëgjoni të moshuarit (në Sllovaki) duke thënë: ‘Oh, gjërat ishin më lirë atëherë’”, thotë ai. “Por ish-Jugosllavia është transformuar në diçka tjetër”.

Megjithatë, disa janë më kritikë ndaj asaj që ata e shohin si një romantizëm të tepërt të periudhës. Familja e Arnela Išerić është nga Bosnja dhe ka ikur në SHBA, ku ajo u rrit gjatë luftës. “Përshtypja ime si fëmijë ishte se Jugosllavia ishte koha më e mrekullueshme dhe gjithçka ishte harmonike”, thotë ajo. “Por kur u rrita, kuptova se kishte gjëra në lidhje me të që nuk më pëlqenin”. Ajo përmend mungesën e të drejtave të komunitetit LGBT dhe shtypjen e mospajtimit politik. Megjithatë, thotë se ende mund të identifikohet me “shpirtin” e Jugosllavisë.

Edhe Kolumne 3 d. më parë Dy ministra të Serbisë dhe analogjia që Evropa shmang

“Kur udhëtoj në pjesë të tjera të rajonit, si Mali i Zi apo Kroacia, gjithmonë ndihem sikur lidhem me njerëzit. Unë mund të flas gjuhën e tyre dhe ne kemi një kulturë të ngjashme”.

Ndërsa koha kalon dhe të rinjtë janë më pak të prekur drejtpërdrejt nga trauma e luftës, disa mendojnë se po bëhet më e lehtë për të analizuar periudhën. “Pothuajse çdo ditë, dikush po pyet nëse mund të na intervistojë për disertacionin e tyre mbi identitetin post-jugosllav”, thotë Dolecki, dirigjentja e korit. “Për një kohë të gjatë ishte një temë shoqërore tabu”, pajtohet kolegu i saj, Markoviq. “Por ky brez ka luksin të jetë aq larg sa të mos ketë të gjitha paragjykimet dhe traumat që vijnë me të. Dhe unë mendoj se kjo do të bëhet më e madhe”.

Image

“E konsideroj veten jugosllav”, thekson Milosh Tomçiq me gjyshen e tij kroate