Shënimet stenografike nga mbledhja e 20 marsit të vitit 1967, të thirrur nga kryetari i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Josip Broz Tito ku morën pjesë Edurad Kardel, Koça Popoviq, Mijallko Todoroviq, Dobrivoje Radosavleviq, Petar Stamboliq, Dragi Stamenkoviq dhe Vllada Popoviq, në rrugën “Uzhiçka numër 20” në Beograd, i përkasin një periudhe të ndjeshme të zhvillimeve politike në Kosovë. Kjo mbledhje u mbajt vetëm tetë muaj pas largimit nga skena politike e njërit prej figurave kyçe të ish-Jugosllavisë në vitet 1945 – 1966, Aleksandar Rankovq. Siç thuhet në materialin që ruhet në Arkivin e Jugosllavisë, gjegjësisht, në fondin e kryetarit të RSFJ Josip Broz Titos, arsyeja e mbajtjes së mbledhjes ishte pakënaqësia e Titos lidhur me informacionet që atij i ishin ofruar në prag të vizitës në Kosovë. Në vijim dëshmohet se për herë të parë udhëheqësit jugosllavë dhe ata serbë ishin njoftuar për ngritjen e kërkesës legale të kreut kosovar për avancimin e statusit të Kosovës në nivelin e Republikës. Është interesante se përgjatë diskutimeve si kryetari i RSFJ, Tito po ashtu edhe bashkëbiseduesit e tij, u janë referuar shqiptarëve si “ata” ndërsa Kosovës me “atje”. Edhe pse në materialin e arkivuar nuk janë paraqitur postet që në vitin 1967 i kanë mbajtur pjesëmarrësit e kësaj mbledhjeje, ato janë të vendosura në kllapa. Nëntitujt janë të Redaksisë. Teksti i përgatitur nga Skënder Latifi, bazohet në stenograme
Në çfarë faze gjendet kërkesa për Kosovën Republikë?
Kryetari Josip Broz Tito, në fillim tha se ka shprehur dëshirë që të bisedojë me shokët në lidhje me vizitën e ardhshme që do ta realizonte në Kosovë dhe Dukagjin, pasi ai nuk është i kënaqur me informacionet që i janë lënë në dispozicion, prandaj Tito i shtroi këto pyetje: si të ndihmohet dhe të orientohet ndihma për zhvillimin e asaj krahine të prapambetur dhe të varfër, edhe nëse është e saktë se tempi i rindërtimit është duke u zhvilluar më shpejt sesa në krahinat e tjera të republikave të Jugosllavisë (nëse nisin punimet për ngritjen e një fabrike dhe në ndërkohë ngrihen edhe tri fabrika të tjera – kjo do të thotë se ka rritje zhvillimore për 300 për qind). Tito me tej ka thënë se “flitet për tendencat se një ditë krahina e Kosovës do të bëhet Republikë. Në çfarë faze janë këto tendenca dhe e ka kërkesa të caktuara? Çfarë janë marrëdhëniet midis Republikës së Serbisë dhe udhëheqësisë krahinore të Kosovës? A ka tensione në raporte, a ekzistojnë vështirësi dhe a është duke e shtruar ndonjë kërkesë nga krahina e Kosovës.

Më pastaj shoku Tito tha se e ka për qëllim që të flasë për këto çështje: për sukseset në mbarë Jugosllavinë dhe ai i përmendi edhe rezultatet e arritura në Kosovë, në veçanti në vitet e fundit. Shoku kryetar pyeti se çfarë kemi arritur deri më tani me reformat ekonomike, sepse në shtyp janë duke u paraqitur informacione negative, bile disa gjëra edhe janë duke u dramatizuar dhe kështu po lihen anash të arriturat pozitive që janë me bollëk. Në këtë kontekst në këtë fazë duhet potencuar se cilat janë pengesat e zbatimit me efikas të reformave ekonomike dhe çfarë eventualisht do ta rrezikonte atë proces. Ai e ngriti çështjen e marrëdhënieve ndërnacionale në një kuptim pozitiv. Çfarë është synuar që nga fillimi i krijimit të bashkësisë socialiste. Më pastaj shoku Tito e tërhoqi vërejtjen se pse kurrë nuk është menduar në shkrirjen (e popujve të Jugosllavisë – S. L.) në një komb të vetëm, por edhe jo të krijimit të shkrirjes së shteteve të vogla në një shtet të vetëm. E njëjta gjendje është edhe me gjuhët, pasi tashmë është nisur me idenë se të gjitha gjuhët duhet të jenë të barabarta, dhe asnjëra prej tyre të mos jetë e rrezikuar.
Përveç tjerash nuk ekziston vetëm gjuha serbe, apo gjuha kroate këtu janë edhe gjuha sllovene dhe ajo maqedonase. Shkurt, të përmendet çështja e gjuhëve por të mos flitet për Deklaratën (mbi gjuhët – S. L.) Ndërsa për politikën e jashtme të afrohet vetëm një pasqyrë e shkurtër pas vetë shoku Tito e tërhoqi vërejtjen se për këtë çështje nuk ka nevojë të afrohet ndonjë material i veçantë.

“Unë mendoj se Kosova duhet të bëhet Republikë”
Në vazhdim fjalën e mori Dobrivoje Radosavleviq (kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë), i cili tha se ishte i mendimit që Kosova do të duhej të bëhej Republikë. Këtu kemi të bëjmë me një proces të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të Kosovës, që normalisht në një front më të gjerë e nxit afirmimin e shqiptarëve dhe të barazisë së tyre. Me të drejtë janë shfaqur ide se si do të kishin kaluar shqiptarët në njëzet vitet e kaluara nëse ata do ta kishin fituar Republikën dhe në këtë drejtim janë duke u bërë krahasime me Maqedoninë dhe me atë që është arritur në këtë republikë. Thënë shkurt, ka mendime se nëse Kosova do të ishte republikë e veçantë, atëherë ata do të kishin të arritura më të mëdha në çdo pikëpamje, po ashtu edhe në pikëpamjen e barazisë.

Është e vërtetë se mjetet që janë ndarë për Kosovën, janë relativisht më të ulëta në krahasim me mjetet që i janë dhënë Maqedonisë. Këtë përkujdesje për Kosovën tashmë mbi vete e ka marrë federata. Por nuk bëhet fjalë vetëm për këtë moment të drejtpërdrejt material, sepse është duke u menduar edhe rreth zhvillimeve në planet tjera si në fushën e shkollimit, në rritjen e numrit të shqiptarëve në ushtrimin e detyrave të ndryshme dhe identike, pra arritja e barazisë së shqiptarëve do të kishte shkuar më shpejt nëse ata do ta kishin pasur Republikën e tyre. Pas Plenumit të IV (viti 1966, shkarkimit të Aleksandar Rankoviqit – S. L.) këto çështje u bënë edhe më të mprehta. Në Komisionin Krahinor të Kosovës, për Çështje të Marrëdhënieve Ndërnacionale ka pasur biseda se është e rrugës që tani të iniciohet çështja e Republikës së Kosovës, por megjithatë në fund është vendosur që tani për tani kjo çështje të mos hapet fare.
Ajo që sot është reale në radhë të parë është që në kuadër të gjendjes së tanishme të sistemit shoqëroro – politik, duhet zhvilluar barazinë faktike të shqiptarëve. Për shembull, kur delegacioni i Kosovës ka qenë te Titoja ata e paraqitën çështjen e shkollave. Deri kohë më parë mësimet në shkollat e mesme i vijonin kryesisht fëmijët e serbëve dhe malazezëve. Tani te shqiptarët është rritur interesimi për shkollim të mesëm dhe për shkollimin e fëmijëve shqiptarë në përgjithësi. Por, nëpër shkolla nuk ka kapacitete të mjaftueshme. Prandaj është e nevojshme që të hapen më shumë klasë në gjuhën shqipe. Megjithatë, shtrohet çështja e drejtpërdrejtë e momentit material. Në Kosovë, kuptohet edhe sikurse dhe tjetërkund, çështja e shkollimit (në mënyrë automatike – S. L.) e fiton karakterin kombëtar.
Pasi tashmë çështja e marrëdhënieve ndërnacionale është komplikuar, ka tendenca që me vendime politike të zgjidhen çështjet që do të mund të zgjidheshin në procesin e zhvillimit normal shoqëror dhe ekonomik, dhe në kuadër të sistemin të tanishëm të vetëqeverisjes. Nëpërmjet kësaj rruge do të forcohet dhe do të zhvillohet barazia e shqiptarëve. Në këtë drejtim tani ka pak nervozizëm dhe padurim. Pasi shqiptarët e përbëjnë 67 për qind të popullsisë së Krahinës së Kosovës, ka mendime që tani brenda natës duhet siguruar strukturën përgjegjëse nacionale të të punësuarve nëpër ndërmarrje, shkolla, administratë, pra gjithkund. Por, mendimet e këtilla nuk janë duke dominuar; edhe pse ka pasur mjaft diskutime mbi shkollat, strukturën e të punësuarve dhe identike.
Padyshim se është e nevojshme që disa gjëra të ndryshohen në republikë. (Serbi – S. L.). Për shembull në Kuvendin e Republikës duhet t’u ofrohen mundësi shqiptarëve, që nëse dikush prej tyre dëshiron të flasë në gjuhën shqipe ta realizojë këtë të drejtë, më pastaj të shihet mundësia që disa materiale të përgatiten dhe të afrohen edhe në gjuhën shqipe. Pra, ka çështje të hapura të realizimit të barazisë së shqiptarëve të cilat mund të zgjidhen në kuadër të sistemit të sotëm.
Tito: Shqiptarët nuk do të fitonin më shumë ndihma materiale, nëse Kosova do të ishte Republikë
Shoku Tito tha se “shqiptarët nuk do të fitonin më tepër ndihmë materiale, nëse Kosovë do të ishte Republikë”. Më pastaj fjalën e ka marrë ideologu i RSF të Jugosllavisë, slloveni Edvard Kardel, (kryetar i Kuvendit Federativ) duke e tërhequr vërejtjen se “është fakt se shqiptarët dhe Kosova në këto dhjetë vjetet e pasluftës kanë qenë në periferi, pra kanë ngelur prapa. Ishte koha e Kominformit (kriza me Stalinin në vitin 1948 – S. L.) politika ishte e atillë dhe atje (në Kosovë) nuk u fillua me ngritjen e industrisë. Mirëpo, në dhjetë vjetët e fundit, që nga viti 1957 erdhi deri te kthesa. Ndihma u rrit dhe tani Kosova është në vendin e parë dhe merr ndihma relativisht më tepër sesa të gjitha republikat e tjera dhe zonat e tjera të cilave u ndahen ndihma. Por të kompensohen ata dhjetë vjetët e parë për një kohë kaq të shkurtër është e pamundur. Dhe nuk kemi të bëjmë vetëm me dhënien e kredive nga buxheti i federatës, por edhe të mundësive të tyre të shpenzimeve racionale. Këto çështje duhet parë nga këndvështrimi i aspektit të tyre ekonomik, prandaj edhe duhet kuptuar mirë situatën e atjeshme.
Koça Popoviq (nënkryetar i Republikës Socialiste Fedartive të Jugosllavisë. Pas shkarkimit të Aleksandar Rankoviq, Popoviq u zgjodh në vend të tij) u interesua se a është ngritur çështja e statusit të republikës si shkas i mospërfilljes (së Kosovës – S. L.), ndërsa përbrenda megjithatë gjendja vlon për shkak të ndjenjës së përjetimit të padrejtësive. Më pastaj Popoviq, e ka tërhequr vërejtjen se argumentet tona duhet përpunuar mirë, që ato të mos paraqiten publikisht, por të krijohet baza e pastër e pozicioneve në raport me tendencat që paraqiten aty.
Dobrivoje Radosavleviq tha se është shumë herët që të dilet me ndonjë qëndrim, sepse kjo çështje nuk është aktuale. Në bazë të asaj që ata e dinë – kjo çështje nuk është duke u shtruar si ndonjë problem i gjerë. Njëherësh Radosavleviq e përmendi, se për shembull në formë shumë serioze shtrohet çështja e marrëdhënieve midis republikës (Serbisë) dhe Vojvodinës, pra edhe nga këndvështrimi material. Këtu është me rëndësi fakti se federata i jep ndihma Kosovës. Republika nuk jep asgjë, por megjithatë Kosovës nuk i kërkohet dhënia e kontributit të rregullt, bile i lihen në dispozicion të ardhurat në tatim-qarkullim dhe identike.

“Sjelljet mizore të UDB-së në Kosovë kanë qenë pasojë e shkuarjes së Dushan Mugoshës atje”
Dragi Stamenkoviqi (kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Republikës së Serbisë) gjithashtu e ka tërhequr vërejtjen se krahina (Kosova) në emër të kontributit nuk e jep asnjë dinar. E gjithë kjo lihet në disponim të tyre. Prej Kosovës nuk është kërkuar as ndarje e mjeteve për financimin e Kuvendit të Republikës, Këshillit Ekzekutiv dhe administratës republikane në përgjithësi.
Koça Popoviq pyeti se a mundet që në interesin e analizës objektive për gjendjen e vërtetë të shqiptarëve, të vlerësohet se në këta dhjetë vjetët e fundit a ka pasur moskuptim nga ana jonë, nga ana e udhëheqësisë jugosllave dhe serbe (pra të situatës dhe kërkesave të Kosovës – S. L).

Më pastaj në bisedë është kyçur Petar Stamboliqi (kryetar i Këshillit Ekzekutiv Federativ) i cili ka thënë se veprimet e UDB–së në Kosovë kanë qenë shumë më drastike se sa në krahinat tjera të Jugosllavisë. Veçmas kohëve të fundit, që prej kur atje ka shkuar Dushan Mugosha. Është fakt se atje u vranë 70 veta dhe 40 veta vdiqën si pasojë e maltretimeve, prandaj edhe paraqitja e hapur e keqpërdorimeve në Plenumin e Komitetit Qendror të Serbisë i errësoi rezultatet që janë arritur atje. Veçmas në pikëpamjen e realizimit të barazisë në kuvend dhe në trupat tjera udhëheqëse.
Stamboliqi në vijim i përmendi përpjekjet që janë bërë në fushën e shkollimit duke e cekur faktin se janë marrë nxënësit me katër vjet shkollë fillore dhe janë punësuar si mësues. Ai shtoi se është zgjedhur edhe çështja e kolonizimit, sa që edhe bejlerëve u janë kthyer tokat. Por, të tërat këto tashmë kanë mbetur nën hije. Shoku Stamboliq gjithashtu e potencoi se Kosova është në vend të parë sa u përket mjeteve që ndahen në emër të ndihmave. Në këtë drejtim situata e atjeshme është më e mirë se sa në shtatëdhjetë komuna të Serbisë. Ndarja e mjeteve më të larta është e pamundur. Tani e kemi kërkesën që fëmijëve t’u sigurohet shkollimi tetëvjeçar. Një kërkesë e tillë nuk është racionale as nga këndvështrimi ekonomik, ndërsa kjo kërkesë shtrohet edhe në kuvend. Nuk bëhet fjalë për sa miliardë ndihmë, por shtrohet pyetja se si të zhvillohet tutje kjo çështje, pra çfarë rezultatesh do të jepte ajo. Në zhvillimin ekonomik, ata (Kosova) merr pjesë vetëm me 20 për qind të mjeteve, të gjitha të tjerat janë subvencione.

Dragi Stamenkoviqi e tërhoqi vërejtjen për shkallën e ulët të punësimit që njëherësh paraqitet si problem themelor (në 1000 banorë janë të punësuar vetëm 7–9 veta). Prej vitit 1961 është shënuar rritje e punësimit dhe nga reforma e këndej zhvillimi është duke shkruar me një temp më të shpejtë.
Petar Stamboliqi e tërhoqi vërejtjen se gjithçka llogaritet për kokë banori, ndërsa në Kosovë shtimi i popullsisë është më i larti në Evropë. Më pastaj ai tha se sa i përket gjendjes së shqiptarëve, ka edhe disa kuptime që janë të turbullta. Kohë më parë në Këshillin Ekzekutiv Federativ është debatuar për 9 majin dhe është vendosur që kjo ditë të jetë festë dhe ditë mospune. Asnjëra prej vendeve aleate nuk e ka marrë atë datë si festive apo si ditë kur nuk do të punohet. Ata (Kosova) e kanë propozuar që ajo datë të shënohet si ditë e pakicave nacionale, si për shembull ashtu siç Maqedonia e shënon ditën e Ilindenit, ndërsa ata (Kosova) e kërkojnë edhe flamurin kombëtar etj. Është e sigurt se ata (Kosova) si ditë feste do ta merrnin 29 apo 28 nëntorin. Mua më duket se ata nisen nga kuantiteti dhe pasi (shqiptarët) janë një milion banorë, atëherë paraqiten mendime që krahina të trajtohet si republikë.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë
Përgatiti: Skënder Latifi