Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Talibanët sulmojnë qytetin e Kunduzit në Afganistan

Militantët talibanë kanë nisur një sulm të madh në Kunduz të Afganistanit, në kohën kur po mbahen bisedimet me Shtetet e Bashkuara, që kanë për qëllim t’i japin fund konfliktit 18-vjeçar në vend.

Zyrtarët afganë thanë se militantët talibanë kanë sulmuar pikat strategjike të qytetit Kunduz, njërit prej qyteteve më të mëdha në Afganistan.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Zëdhënësi i Presidencës, Sediq Seddiqi, tha se forcat e sigurisë afgane i kanë kundërpërgjigjur këtij sulmi në disa pjesë të qytetit.

Ndërkaq, zëdhënësi i talibanëve, në një postim në Twitter, e cilësoi këtë sulm si sulm në “shkallë të gjerë”.

Anëtari i Këshillit provincial, Ghulam Rabani Rabani tha për AP se talibanët kanë marrë nën kontroll spitalin e qytetit. Militantët kanë marrë pengje pacientët e këtij spitali, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Rohullah Ahmadzai, por nuk tregoi për numrin e saktë të pengjeve.

Ministria e Brendshme e Afganistanit tha se gjatë luftimeve kanë vrarë të paktën 34 militantë talibanë dhe se operacioni për largimin e militantëve nga qyteti është duke vazhduar.

Luftimet në Kunduz vijnë në kohën kur talibanët po bisedojnë me Shtetet e Bashkuara, për të arritur një marrëveshjeje paqe, që mund të përfshijë një afat kohor për largimin e mijëra trupave amerikane nga Afganistani.

Presidenti amerikan, Donald Trump, më 30 gusht deklaroi se SHBA-ja dhe talibanët kanë zhvilluar biseda të mira, por ende nuk është arritur marrëveshje/Rel.