Botë

Sulmi që la së paku 46 të vdekur në një xhami, sfidon talebanët

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur të premten në një xhami të mbushur me besimtarë shiitë në veri të Afganistanit, duke lënë të vdekur së paku 46 persona dhe të lënduar me dhjetëra të tjerë, në sulmin që përbën sfidën më të re të sigurisë për talebanët teksa ata po kalojnë nëpër tranzicionin prej kryengritjes në qeverisje.

Eksplodimi ka ndodhur në një xhami të qytetit Kunduz gjatë faljes së xhumasë. Shpërthimi ka thyer dritaret, ka dëmtuar çatinë dhe muret e xhamisë. Ekipet e shpëtimit kanë bartur kufomat drejt ambulancave, ndërsa njolla gjaku kishin mbuluar dyshemenë.

ISIS-i e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin.

Dost Mohammad Obaida, zëvendësshef i Policisë në Kunduz, ka thënë se “shumica e tyre janë vrarë”, në një referencë për viktimat. Ai ka thënë se sulmi mund të jetë kryer nga një bombardues vetëvrasës, i cili është përfshirë në mesin e besimtarëve brenda xhamisë.

“I siguroj vëllezërit tanë shiitë se talebanët janë të gatshëm për ta garantuar sigurinë e tyre”, ka thënë Obaida, duke shtuar se hetimet lidhur me ngjarjen janë duke vazhduar.

Shifra e të vdekurve, po qe se konfirmohet zyrtarisht, do të ishte më e larta qëkur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe forcat e NATO-s janë tërhequr nga Afganistani në fund të gushtit, kur talebanët e morën kontrollin mbi vendin. Talebanët janë vënë në shënjestër të një sërë sulmesh të përgjakshme nga militantët rivalë në ISIS, përfshirë pusitë me të shtëna dhe shpërthimin në një xhami të kryeqytetit Kabul.

Shpërthimi në Kunduz kanë ndodhur gjatë lutjeve të përjavshme të xhumasë në xhaminë Gozar-e-Sayed Abad. Dëshmitari i rastit, Ali Reza, ka thënë se po lutej në kohën kur ndodhi shpërthimi dhe se ka parë përreth shumë viktima.

Një banor i zonës, Hussaindad Rezayee, ka bërë të ditur të ketë nxituar në xhami menjëherë pas shpërthimit.

“Isha i zënë me punë në shtëpi dhe kur lutjet filluan, shpërthimi ndodhi”, ka thënë ai. “Erdha për t’i parë familjarët e mi, xhamia ishte e stërmbushur”.

Udhëheqja talebane në Afganistan është ballafaquar me kërcënimin në rritje nga bashkëpunëtorët lokalë të Shtetit Islamik.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Afganistan ka dënuar sulmin e së premtes, duke pretenduar se ishte “pjesë e shtegut shqetësues të dhunës” që në shënjestër ka institucionet fetare.