Gjashtë besimtarë myslimanë janë vrarë teksa po luteshin në një xhami në perëndim të Afganistanit, pasi një person i armatosur i sulmoi ata, raporton agjencia “AP”.
Sulmi ndodhi të hënën mbrëma në rrethin e Guzaras në provincën Herat, ka bërë të ditur Abdul Mateen Qani, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme talebane. Ai përmes një postimi në platformën e rrjeteve sociale “X” ka njoftuar se hetimet janë duke u zhvilluar.
Mediat lokale kanë raportuar po ashtu se imami i xhamisë ishte në mesin e të vrarëve.
Misioni i Kombeve të Bashkuara ka dënuar sulmin dhe ka bërë thirrje për masa mbrojtëse për komunitetet shiite.
Dega e grupit të Shtetit Islamik në Afganistan është rival i madh i talebanëve dhe shpesh synon shkolla, spitale, xhami dhe zona të komuniteteve shiite në të gjithë vendin.
Edhe
Dhjetëra të vrarë nga sulmet e Pakistanit në Afganistan
Talebanët morën pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021, gjatë javëve të fundit të largimit të trupave të SHBA-së dhe NATO-s nga vendi pas 20 vitesh luftë, raporton “Associated Press”.
Pavarësisht premtimeve fillestare për udhëheqje më të moderuar, talebanët gradualisht rifutën në vend ligjin e ashpër islamik, ose Sheriatin, ashtu siç bënë gjatë sundimit të tyre të mëparshëm në Afganistan nga viti 1996 deri në vitin 2001.