Botë

Sytë kah partitë e vogla gjermane pas takimit të tyre për koalicionin

“Procesi ka nisur sot në atmosferë të mirë, por nuk ka marrë fund”, ka thënë lideri i FDP-së, Christian Lindner para gazetarëve, duke shtuar se partitë e vogla vendimtare për qeverisjen e ardhshme gjermane janë në kërkim të ndërtimit të urave për çështjet politike

Të Gjelbrit e Gjermanisë dhe Demokratët e Lirë liberalë janë takuar të premten në raundin e dytë të bisedimeve për gjetjen e pikave të përbashkëta rreth krijimit të një qeverie të re të koalicionit qoftë me Socialdemokratët apo me konservatorët, të cilat tani kanë kthyer sytë kah ata lidhur me udhëheqjen e ardhshme të vendit.

Të Gjelbrit dhe FDP-ja, nga kampet e kundërta të spektrit politik dhe me mospajtime për një gamë të gjerë çështjesh, janë vënë në epiqendër të skenës politike pasi Socialdemokratët (SPD) i fituan zgjedhjet e së dielës me një margjinë të ngushtë që i lë ata në pozitë që të kërkojnë partnerë potencialë.

Si SPD-ja e qendrës së majtë ashtu edhe blloku konservator i kancelares Angela Merkel, i cili pësoi rënien më të thellë në rezultate, do të kenë nevojë për partneritetin e Demokratëve të Lirë të qendrës së djathtë dhe të të Gjelbërve të së majtës për ta siguruar shumicën parlamentare për koalicionin qeverisës.

“Procesi ka nisur sot në atmosferë të mirë, por nuk ka marrë fund”, ka thënë lideri i FDP-së, Christian Lindner para gazetarëve, duke shtuar se partitë e vogla janë në kërkim të ndërtimit të urave për çështjet politike.

Duke folur përkrah tij, lideri i të Gjelbërve, Robert Habeck, ka thënë: “Kemi ndërtuar një kulturë të bisedimeve me njëri-tjetrin që e bën të mundur diskutimin faktik”.

Ai ka shtuar se partitë më të vogla do të takohen tani akëcila me SPD-në dhe konservatorët, ndërsa më pas “do të shohim se çfarë dinamike do të zhvillohet në ditët në vijim, apo mbase muajt”.

Merkeli, e cila është në pushtet që nga viti 2005, planifikon që të tërhiqet nga skena politike menjëherë pasi që Qeveria e re të formohet, porse këtë detyrë do ta ushtrojë deri atëherë.

Kandidatja e të Gjelbërve për kancelar, Annalena Baerbok, ka thënë se partia e saj dhe FDP-ja nuk do të komentojnë lidhur me përmbajtjen e bisedimeve.

Mirëpo të Gjelbrit parapëlqejnë një aleancë trepalëshe me FDP-në dhe SPD-në fituese në zgjedhje, përderisa FDP-ja e përkrah idenë që dy partitë më të vogla t’i bashkojnë forcat me konservatorët e Merkelit për koalicionin “Xhamajka”, një emërtim ky që aludon në ngjyrat identifikuese të të tri partive, që përkojnë me ato të flamurit shtetëror të Xhamajkës.