Përfaqësuesit më të lartë të SPD-së, të Gjelbërve dhe FPD-së kanë sinjalizuar se bisedimet formale për koalicion mund të nisin qysh para javës së ardhshme, duke e shndërruar formimin e qeverisë së re nën udhëheqjen e Olaf Scholzit të SPD-së para Kërshëndellave në një skenar të mundshëm
Tri partitë politike që synojnë formimin e qeverisë së ardhshme në Gjermani kanë sinjalizuar të martën se bisedimet formale mund të nisin më herët sesa që pritej, në një shenjë se koalicioni i ri mund të bëjë betimin qysh para fundit të këtij viti.
Përfaqësuesit më të lartë të partive janë përfshirë qysh nga fundjava në bisedimet eksploruese për koalicionin potencial të njohur si “semafor” midis Socialdemokratëve të qendrës së majtë (SPD), Demokratëve të Lirë liberalë (FDP) dhe Partisë së Gjelbër.
Në një konferencë për media të martën, Michael Kellner nga radhët e të Gjelbërve ka deklaruar se “vëllimi i qëndrimeve të përbashkëta mes nesh është rritur, derisa ajo e dallimeve është tkurrur”.
Derisa disa çështje vazhdojnë të jenë ende pengesë, partitë do të jenë së shpejti gati për takimin e tyre të ardhshëm të madh gjatë së premtes, ka shtuar Kellner, sekretari i përgjithshëm i partisë.
“Të biseduarit me njëri-tjetrin në mënyrë të butë dhe faktike është një gjë, porse vënia në letër e atyre që janë thënë është në anën tjetër momenti i së vërtetës”, ka thënë Volker Wissingu nga FDP-ja. Ai ka aluduar gjithashtu se e premtja është data kur liderët e partisë së tij do të vendosin nëse të vazhdojnë me bisedimet formale.
Edhe
Politika e jashtme sfidon negociatat e “Koalicionit të Semaforit”
Kjo nënkupton se bisedimet zyrtare për koalicion mund të nisin qysh para javës së ardhshme, duke e shndërruar formimin e qeverisë së re nën udhëheqjen e Olaf Scholzit të SPD-së para Kërshëndellave në një skenar të mundshëm.
Një rezultat i tillë do të përbënte kontrast të thellë me bisedimet eksploruese të koalicionit më 2017, të cilat zgjatën deri në nëntor para se FDP-ja të tërhiqej papritmas nga bashkëpunimi me CDU-në dhe të Gjelbrit. Kësaj radhe, partitë kanë vendosur që t’i kapërcejnë dallimet dhe t’i vënë gjërat e rëndësishme në rend të parë.
“Është puna që të bisedohet për gjërat që... në fund të ditës janë përnjëmend çështje të mëdha që duhet të zgjidhen”, ka thënë Lars Klingbeili i SPD-së. “Bisedimet eksploruese janë ndryshe prej bisedimeve të koalicionit, por mënyra sesi jemi duke i menaxhuar këto bisedimet eksploruese tani është shumë e rëndësishme për gjithçka tjetër që pason”.
Përfaqësuesit e të tri partive kanë refuzuar që ta zbardhin përmbajtjen e takimeve, duke sinjalizuar vetëm se atmosfera ishte konstruktive.
I pyetur nga një gazetar nëse mendon që koalicioni “semafor” tani është bërë i mundshëm, Klingbeili buzëqeshi.
“Sikurse thashë tanimë, jemi në shtegun e duhur”, është përgjigjur ai.
Socialdemokratët kanë dalë fitues në zgjedhjet parlamentare të javës së shkuar dhe tani synojnë që të formojnë qeverinë bashkë me të Gjelbrit dhe FDP-në, në atë që po cilësohet si koalicion “semafor”, një aludim ky për ngjyrat identifikuese të partive pjesëmarrëse.
Edhe
Partitë gjermane dakordohen rreth nisjes së bisedimeve zyrtare për koalicion
Derisa të Gjelbrit dhe SPD-ja shihen si ideologjikisht të përafërta, FDP-ja është më e larguar me qëndrime nga të dyja, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe politikave fiskale.
Në rast se një marrëveshje mes palëve arrihet të premten, atëherë të Gjelbrit kanë thënë se duhet që të mbledhin një kongres të vogël partiak për ta miratuar hisenë e tyre në qeveri, mirëpo janë zotuar që këtë takim ta mbajnë që të shtunën, në mënyrë që vendimmarrja të përshpejtohet. \ Politico-Deutsche Welle