Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Scholzi një hap më afër pasimit të Merkelit si kancelar i Gjermanisë

Të Gjelbrit dhe Liberalët kanë shprehur gatishmërinë për t’i nisur bisedimet zyrtare për formimin e koalicionit qeverisës me Partinë Socialdemokrate të Scholzit, në atë që mund t’i rrisë gjasat që një Qeveri e qendrës së majtë ta zëvendësojë atë të qendrës së djathtë, e cila ka qenë në pushtet për më tepër se 16 vjet, pas zgjedhjeve të 26 shtatorit

(Guardian) – Olaf Scholzi i është afruar një hap më tepër pasimit të Angela Merkelit si kancelar i Gjermanisë, pasi që të Gjelbrit dhe liberalët të mërkurën e shprehën gatishmërinë e tyre për të hyrë në bisedime zyrtare të koalicionit me Partinë e tij Socialdemokrate (SPD).

Kandidati i partisë fituese të zgjedhjeve të së dielës dhe njëherësh ministër i Financave në Gjermani ka mirëpritur marrëveshjen, i nxitur nga thirrja e të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë (FDP) për nisjen e bisedimeve trepalëshe. Një gjë e tillë rrit gjasat që një Qeveri e qendrës së majtë ta zëvendësojë atë të qendrës së djathtë, e cila ka qenë në pushtet për më tepër se 16 vjet, pas votimeve të 26 shtatorit.

Scholz ka thënë se bisedimet do të përqendrohen në formimin e një qeverie që do ta “garantojë progresin dhe modernizimin e nevojshëm të Gjermanisë”, ndërsa ka shtuar se “i është mirënjohës mënyrës profesionale dhe serioze, me të cilën të Gjelbrit dhe FDP-ja e kanë përshpejtuar procesin e formimit të Qeverisë”.

Bashkudhëheqësit e të Gjelbërve, Annalena Baerbock dhe Robert Habeck, kanë thirrur një konferencë spontane shtypi mëngjesin e së mërkurës, në të cilën kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të hyrë në negociata serioze, 10 ditë pas zgjedhjeve kombëtare.

Christian Lindneri i FDP-së ka pasuar veprimin vetëm një orë më vonë, duke deklaruar para gazetarëve se e pranon ftesën e të Gjelbërve. Ai ka thënë se partia e tij nuk do të zhvillojë bisedime paralele me Kristiandemokratët (CDU), lideri i të cilëve Armin Laschet ende synon që ta pasojë Merkelin.

Habeck ka thënë se të Gjelbrit “nuk duan ta luajnë një lojë artificiale pokeri” dhe prandaj “propozojnë që bashkë me FDP-në t’i afrohen SPD-së e prej aty të avancojnë prej fazës së negociatave rishikuese në atë të bisedimeve trepalëshe”. Ai ka pranuar se ekzistojnë ende shumë fusha, në të cilat partitë nuk kanë gjetur dakordim.

“Shumë gjëra ende duhet të diskutohen”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër, Baerbock ka bërë të ditur se me një koalicion trepalësh, i pari në nivelin federal, Gjermania do të “mësohet me një formë të re të politikës”.

Lascheti i bllokut të Merkelit ka refuzuar që t’i nënshtrohet presionit të brendshëm partiak për të hequr dorë nga ideja për formimin e një qeverie nën udhëheqjen e tij.

“Kemi sinjalizuar se jemi të gatshëm që të mbajmë bisedime të mëtutjeshme”, ka thënë ai. “Por, vendimi se me cilën renditje dikush zgjedh që të flasë me këdo, u bie FDP-së dhe të Gjelbërve”.

Mirëpo, Markus Söderi, shefi i partisë simotër të CDU-së së Laschetit – Unionit Socialkristian nga Bavaria, është shprehur më i vullnetshëm për ta pranuar disfatën.

“Drejtimi i qartë është vendosur”, ka thënë ai. “CSU-ja e respekton këtë vendim. Qeveria e re nuk është vendosur ende sigurt, por Unioni nuk do të qëndrojë në anën tjetër”.

Asnjë parti nuk ka fituar shumicën komode në zgjedhjet e 26 shtatorit, në të cilat SPD-ja ka mposhtur me rezultat të ngushtë konservatorët e kancelares në largim. Socialdemokratët kanë siguruar 25.7 për qind të votave, CDU-ja 24.1 për qind, të Gjelbrit 14.8 për qind dhe FDP-ja 11.5, rezultat ky që i ka shndërruar të Gjelbrit dhe liberalët në forca vendimtare politike për koalicionin potencial.

Gjatë dhe pas zgjedhjeve, gjermanët vazhdimisht kanë pretenduar se do ta parapëlqenin atë që është emërtuar si koalicion “semafor” sipas ngjyrave identifikuese të SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së. Ndërkaq, koalicioni “Xhamajka” ndërmjet CDU-së, të Gjelbërve dhe FDP-së, ndonëse matematikisht i mundur, është vlerësuar si më pak popullor.

Artikuj të ngjashëm