Rusia ka nisur sulmin e tretë masiv me raketa në Ukrainë në katër ditët e fundit, dhe i dyti që ka shënjestruar kryeqytetin Kiev. Ushtria polake ka njoftuar se një nga raketat e lëshuara në Ukrainën perëndimore hyri për pak kohë në hapësirën e saj ajrore, raporton “Associated Press”.
Kreu i administratës ushtarake të Kievit, Serhiy Popko, ka theksuar se Rusia ka përdorur raketa lundrimi të lëshuara nga bombarduesit strategjikë Tu – 95MS.
Ai ka bërë të ditur se sulmet u nisën nga distrikti Engels në rajonin e Saratovit të Rusisë.
Sipas të dhënave paraprake, nuk ka pasur viktima apo dëme në kryeqytet.
Komanda e operacionit të Polonisë, anëtare e NATO-s, tha në një deklaratë se kishte një shkelje të hapësirës ajrore polake në orën 4:23 të mëngjesit nga një prej raketave lundruese të lëshuara nga Rusia kundër qyteteve në Ukrainën perëndimore.
Edhe
Rusia sulmon Kievin dhe rajonet përreth, të paktën 12 të vdekur
Objekti hyri pranë qytetit polak të Oserdowit dhe qëndroi atje për 39 sekonda, thuhet në deklaratë. Sistemet e radarëve ushtarakë vëzhguan raketën gjatë gjithë kohës dhe u nisën të gjitha procedurat e nevojshme për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore polake.
Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Wladysław Kosiniak-Kamysz, u tha gazetarëve në një konferencë për media se raketa ruse do të ishte rrëzuar nëse do të kishte ndonjë indikacion se ajo po shkonte drejt një objektivi në Poloni.
Ministria e Jashtme polake ka njoftuar se do të “kërkon shpjegime nga Federata Ruse në lidhje me një tjetër shkelje të hapësirës ajrore të vendit”.
“Mbi të gjitha, ne i bëjmë thirrje Federatës Ruse që të ndalojë sulmet ajrore terroriste mbi banorët dhe territorin e Ukrainës, t’i japë fund luftës dhe të adresojë problemet e brendshme të vendit”, thuhet në deklaratë.
Edhe
Sulmet ruse në Kiev lënë nëntë të vdekur
Që kur Rusia pushtoi Ukrainën, ka pasur një sërë ndërhyrjesh në hapësirën ajrore polake.
Në vitin 2022, dy polakë mbetën të vdekur në një shpërthim rakete. Zyrtarët perëndimorë fajësuan për këto vdekje një raketë të mbrojtjes ajrore ukrainase, por gjithashtu akuzuan Rusinë, sepse ajo kishte nisur sulmin dhe raketat ukrainase u lëshuan në vetëmbrojtje.