(E përditësuar 12:30) - Autoritetet lokale shëndetësore në Gaza kanë përditësuar numrin e viktimave nga sulmet izraelite gjatë 24 orëve të fundit në 146, raporton Reuters.
Sipas autoriteteve lokale shëndetësore, 459 persona kanë mbetur gjithashtu të lënduar nga sulmet izraelite gjatë të njëjtës periudhë.
Sulmet e reja izraelite vrasin të paktën 58 palestinezë në Rripin e Gazës
(11:06) - Të paktën 58 palestinezë janë vrarë në sulmet e reja ajrore izraelite në Rripin e Gazës, kanë njoftuar të shtunën autoritetet lokale shëndetësore, raporton agjencia “Reuters”.
Izraeli ka nisur tashmë një ofensivë të re tokësore.
“Që nga mesnata, kemi pranuar 58 trupa të pajetë, ndërsa një numër i madh viktimash mbeten nën rrënoja. Situata brenda spitalit është katastrofike”, ka thënë drejtori i spitalit indonezian në veri të Gazës, Marwan Al-Sultan.
Më shumë se 300 banorë të Gazës janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite që nga dita e enjte, duke e bërë këtë një nga fazat më vdekjeprurëse të bombardimeve që nga braktisja e armëpushimit në muajin mars.
Sulmet më të fundit ndodhën pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, përfundoi turneun e tij në Lindjen e Mesme të premten pa ndonjë përparim të dukshëm drejt një armëpushimi të ri mes Izraelit dhe Hamasit.
Ushtria izraelite ka njoftuar të shtunën se po kryen sulme të gjera dhe po mobilizon trupa si pjesë e përgatitjeve për të zgjeruar operacionet në Rripin e Gazës dhe për të arritur “kontroll operacional” në zonat e enklavës palestineze.
Përshkallëzimi, i cili përfshin grumbullimin e forcave përgjatë kufirit, është pjesë e fazës fillestare të operacionit ushtarak nën emrin “Karrocat e Gideonit”, që Izraeli pretendon se ka për qëllim ta mposhtë Hamasin dhe të rikthejë pengjet e mbajtura në Rripin e Gazës.
Shefi i OKB-së i alarmuar pas nisjes së ofensivës së re nga Izraeli
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje të shtunën për armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm në Rripin e Gazës, pas intensifikimit të ofensivës ushtarake nga Izraeli në territorin palestinez të shtunën.
“Duhet armëpushim i përhershëm, tani”, iu ka thënë Guterres liderëve të mbledhur në samitin e Ligës Arabe, që po organizohet në Bagdad të Irakut.
“Jam i shqetësuar nga planet e raportuara të Izraelit për të zgjeruar operacionet tokësore dhe më shumë”, ka vazhduar ai.
Ndër të tjera, kryeministri irakian Mohammed Shia al-Sudani, vendi i të cilit po pret samitin e Ligës Arabe, ka thënë të shtunën se Iraku do të ofrojë 40 milionë dollarë për rindërtimin e Libanit dhe Gazës pas luftërave me Izraelin.
“Iraku mbështet krijimin e një fondi arab për të mbështetur përpjekjet për rindërtim pas krizave në rajon”, u ka thënë al-Sudani liderëve arabë në Bagdad.
"Iraku do të kontribuojë 20 milionë dollarë për rindërtimin e Gazës dhe 20 milionë për rindërtimin e Libanit”, ka shtuar ai.