Sulme të rënda ajrore kanë goditur kryeqytetin e Iranit, Teheranin, të premten në mëngjes.
Avionët luftarakë izraelitë kanë goditur më shumë se 200 objektiva në të gjithë Iranin perëndimor dhe qendror gjatë ditës së kaluar, njoftoi ushtria izraelite të premten.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSulmet kishin në shënjestër ato që ushtria tha se ishin lëshues raketash balistike iraniane, sisteme mbrojtëse dhe vende prodhimi armësh.
Të premten në mëngjes, shpërthime të forta u raportuan në disa zona të Teheranit, Esfahanit dhe qyteteve të tjera, sipas mediave shtetërore iraniane.
Hegseth thotë se SHBA-ja e Izraeli kanë goditur mbi 15,000 caqe iraniane
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka thënë se kapacitetet e ushtrisë së Iranit dukshëm janë dobësuar pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit.
“Irani nuk ka mbrojtje ajrore, nuk ka forcë ajrore, nuk ka marinë”, ka thënë ai në konferencë për media.
“Numri i raketave të tyre ka rënë me 90%. Dronët e tyre kanë rënë në 95% dhe siç po e sheh bota, ata po ushtrojnë dëshpërimin e tyre në Ngushticën e Hormuzit, me të cilin po merremi”.
Sipas Hegsethit, forcat amerikane dhe izraelite kanë kryer mijëra sulme mbi caqe iraniane. Ai ka deklaruar janë në plan të shkatërrimit total të kapaciteteve ushtarake të Iranit me një shpejtësi “që bota kurrë nuk e ka parë më parë”.
“Nga Forca jonë Ajrore dhe ajo izraelite janë goditur mbi 15,000 objektiva armike. Kjo i bie mbi 1,000 në ditë”, ka theksuar ai.
Hegseth ka thënë se udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është “plagosur dhe me shumë gjasa është gjymtuar”, teksa pretendoi se lidershipi iranian është dobësuar rëndë si rezultat i operacioneve ushtarake amerikane.
Ai vuri në pikëpyetje mesazhin e parë të dhënë nga lideri i Iranit, i cili u lexua në televizionin shtetëror nga një prezantuese.
“Ai dha një deklaratë dje, një të dobët madje, por nuk kishte zë dhe nuk kishte video. Irani ka shumë kamera dhe regjistrues zëri, pse një deklaratë e shkruar? Mendoj se e dini pse. Babai i tij, i vdekur. Ai është i frikësuar, i plagosur, në arrati dhe s’ka legjitimitet. Është rrëmujë për ta”, ka thënë ai në konferencë.
Shpërthim i madh në sheshin e Teheranit ku mijëra njerëz po marshojnë
Një grua është vrarë në një sulm gjatë marshimit të Ditës së Kudsit në Teheran, raportuan mediat shtetërore iraniane, teksa një shpërthim i madh ka ndodhur në zonën e sheshit “Ferdowsi”, epiqendra e demonstratave të premten. Në këtë zonë ka shumë ndërtesa qeveritare, raportoi AP.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA fajësoi SHBA-në dhe Izraelin për sulmin vdekjeprurës. Izraeli kishte paralajmëruar më herët të premten se do të synonte caqe në kryeqytetin e Iranit.
Pavarësisht paralajmërimit, turma të mëdha njerëzish u mblodhën për ta shënuar këtë ditë.
Video e publikuar nga agjencia “Tasnim News Agency” tregoi një re tymi gri duke u ngritur ndërsa demonstruesit brohorisnin: “Vdekje Izraelit!” dhe “Vdekje Amerikës!”
Disa personalitete të larta iraniane morën pjesë në marsh, përfshirë presidentin Masoud Pezeshkian, zyrtari i sigurisë Ali Larijani dhe kleriku radikal Gholamhossein Mohseni Ejehi, kreu i sistemit gjyqësor të vendit.
Larijani e quajti sulmin e dyshuar izraelit një “shenjë dëshpërimi”.
“Problemi me Trumpin është se nuk është mjaftueshëm i zgjuar për të kuptuar se populli iranian është një popull i pjekur, i fortë dhe i vendosur. Sa më shumë presion të vendosë mbi njerëzit, aq më e madhe bëhet fuqia e vullnetit të tyre”, shtoi Larijani.
Shkaku i shpërthimit nuk ishte menjëherë i qartë. Ushtria izraelite refuzoi të diskutonte menjëherë për sulmin kur u kontaktoi për koment nga AP. Izraeli kishte paralajmëruar se mund të sulmonte në zonë pak para shpërthimit dhe u kishte kërkuar njerëzve të largoheshin nga aty.
Vendi i shpërthimit dukej pranë zonës ku Izraeli kishte thënë se do të godiste. Pak para shpërthimit në Teheran, një shpërthim tronditi po ashtu qytetin Qazvin, të cilin Izraeli gjithashtu kishte paralajmëruar se do ta shënjestronte.
NATO rrëzon raketën e tretë balistike mbi Turqi
Sistemet e mbrojtjes së NATO-s të premten kanë rrëzuar një raketë balistike të lëshuar nga Irani në territorin e Turqisë, incidenti i tretë i këtij lloji që nga fillimi i luftës.
Ministria e Mbrojtjes së Turqisë ka thënë se raketa u shkatërrua nga sistemet ajrore të vendosura në lindje të Mesdheut, raportoi AP.
Banorët në qytetin Adana kanë raportuar se kanë dëgjuar shpërthim të fortë dhe sirenat në Bazën Ajrore Incirlik, e cila përdoret nga forcat amerikane.
Nuk është raportuar për viktima.
NATO-ja ka vendosur një sistem shtesë të mbrojtjes ajrore “Patriot” këtë javë në provincën Malatya.
Ministria turke ka theksuar se baza Incirlik është bazë turke dhe se prezenca e trupave të huaj nuk e ndryshon statusin e saj.
Deklarata ishte një përgjigje kundër paralajmërimeve të Iranit ndaj shteteve që kishin baza ushtarake amerikane në to.
Marshe masive, iranianët dalin me portrete të liderit të ri e brohorasin kundër SHBA-së e Izraelit
Turma të mëdha njerëzish kanë marshuar në qytete në të gjithë Iranin të premten në mëngjes për të shënuar Ditën e Kudsit, një tubim që mbahet çdo vit në mbështetje të palestinezëve.
Video të publikuara nga mediat shtetërore iraniane treguan protesta të mëdha ku njerëzit marshonin, valëvitnin flamuj dhe mbanin portrete të liderit të ri suprem, Mojtaba Khamenei, si dhe të babait të tij të vrarë, Ali Khamenei, në qytete si Tehran, Khorramabad, Isfahan, Golestan, Yazd, Mashhad dhe në qytetin juglindor Zahedan.
Në Teheran, turmat brohoritën slogane kundër SHBA-së dhe Izraelit, ndërsa dogjën figura simbolike që paraqisnin presidentin e SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Këto tubime u zhvilluan ndërkohë që ushtria izraelite njoftoi se kishte nisur një “valë të gjerë” sulmesh në Teheran. Më herët, mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime në Teheran, Isfahan dhe në pjesë të tjera të vendit.