Shërbimi sekret i Suedisë, Sapo, ka thënë se Irani mund të ketë qenë i përfshirë në shpërthimet dhe të shtënat me armë që ndodhën në afërsi të ambasadave të Izraelit në Stokholm dhe Kopenhagë më herët këtë javë, njofton “BBC”.
Fredrik Hallstrom i Sapo-s tha se zgjedhja e shënjestrave dhe metodat çojnë tek Irani, por tha se “janë më tepër supozime sesa njohuri”.
Të hënën mbrëma, është shtënë në drejtim të Ambasadës së Izraelit në Stokholm. Nuk pati të lënduar.
E dy shpërthime u raportuan në afërsi të Ambasadës së Izraelit në Qendër të Kopenhagës në orët e hershme të së mërkurës.
Dy tinejxherë suedezë të moshave 16 dhe 19-vjeçare janë arrestuar në një stacion treni në Kopenhagë të mërkurën pasdite. Një nga ta kishte blerë bileta për në Amsterdam.
Të enjten, të dy janë akuzuar për posedim të granatave të dorës dhe hedhje të tyre në afërsi të Ambasadës. Ata u deklaruan të pafajshëm dhe i është caktuar masa e paraburgimit deri më 30 tetor.
Një shtetas i tretë suedez është arrestuar në afërsi të Ambasadës më vonë.
Policia daneze nuk e ka konfirmuar nëse Ambasada e Izraelit ishte shënjestër e shpërthimeve. Ka ambasada tjera në atë rrugë.
Nuk është hera e parë që ndodhin incidente të tilla në afërsi të ambasadave izraelite në kryeqendër të një shteti nordik.
Në janar, një objekt i rrezikshëm është gjetur jashtë Ambasadës së Izraelit në Stokholm dhe u shkatërrua. Ambasadori izraelit e quajti “tentim sulmi”.
Në atë kohë kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson tha se situata është shumë serioze dhe premtoi ta forcojë kontrollin.