Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Stoltenberg: Relacionet me Rusinë në pikën më të ulët që nga Lufta e Ftohtë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të hënën se marrëdhëniet e aleancës 30-anëtarëshe me Rusinë ndodhen “në pikën më të ulët që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë”.

Me këtë, ai u ka bërë jehonë komenteve të ngjashme të adresuara nga presidentët rusë dhe amerikanë, ndërsa ka shtuar se krejt kjo është rezultat i veprimeve agresive të Rusisë.

Vlerësimet e tija në Bruksel janë bërë në fillim të samitit të parë të NATO-s që përfshin presidentin amerikan, Joe Biden, dhe ku Rusia e Kina figurojnë lart në agjendë. Stoltenberg ka shtuar se liderët duan që ta riafirmojnë gjithashtu “qasjen e dyfishtë” të NATO-s ndaj Rusisë, duke përfshirë parandalimin e opsionit ushtarak – si vendosjen e trupave të aleancës në vendet e Baltikut dhe në Poloni – dhe të dialogut. Ai, në anën tjetër, ka minimizuar nivelin e tensioneve me Kinën, por ka theksuar se NATO-ja duhet të marrë qëndrime më të ashpra karshi Pekinit.