Botë

Spiuni i KGB-së që qëndroi mes elitës franceze për dekada

Revista e njohur franceze “L’Express” ka zbuluar se ish-redaktori i saj i shquar, Philippe Grumbach, ka qenë spiun i KGB-së për 35 vjet.

Grumbach ka qenë figurë e kyçur mirë në shoqërinë franceze për dekada.

Ai i llogariste presidentët, aktorët dhe gjigantët letrarë si miq të afërt. Kur vdiq në vitin 2003, ministri i Kulturës, Jean-Jacques Aillagon, pati thënë se Grumbach kishte qenë “një nga figurat më të paharrueshme dhe më të respektuara në mediat franceze”.

Por, gjithashtu ishte edhe një spiun i KGB-së.

Dëshmi të shumta të jetës së dyfishtë të Grumbachit mund të gjenden në të ashtuquajturat arkiva Mitrokhin – emëruar sipas arkivistit sovjetik i cili kontrabandoi mijëra faqe dokumentesh nga arkivat sovjetike dhe ia dorëzoi Britanisë në vitin 1992. Më vonë, ato u përpiluan në një libër nga Christopher Andrew dhe vetë Vasili Mitrokhin.

Në mesin e mijëra faqeve janë profile që përshkruajnë karakteristikat e perëndimorëve të cilët spiunuan për Bashkimin Sovjetik.

Disa muaj më parë një mik i Etienne Girard, redaktor në “L’Express”, e informoi atë se dikush që po kërkonte në dosjen Mitrokhin kishte hasur në përmendjen e revistës “L’Express”. Dokumentet thoshin se një agjent me emrin e koduar Brok punonte për KGB-në – dhe shkruante detaje biografike që përputheshin me Grumbachin.

Interesi i Girardit u zgjua menjëherë.

“Fillova të gërmoja në të dhe gjeta emrin e Grumbachit të shkruar në rusisht, dhe disa fotografi”, i ka thënë Girard BBC-së. “Dhe më pas gjërat u bënë edhe më serioze. Kontaktova me Shërbimin Sekret francez për të konfirmuar se Brok ishte me të vërtetë Grumbach – dhe gjërat rrodhën prej aty”.

I lindur në Paris më 1924 në një familje hebre, Grumbach u largua nga Franca me familjarët në vitin 1940 – viti i pushtimit të Gjermanisë naziste dhe Philippe Petain mori pushtetin në Vichy me një regjim kolaboracionist. Grumbach iu bashkua Ushtrisë amerikane menjëherë dhe luftoi përkrah rezistencës në Algjeri më 1943. Pas luftës, ai iu bashkua agjencisë së lajmeve AFP – por dha dorëheqje shpejt në shenjë proteste ndaj veprimeve të qeverisë franceze.

Në vitin 1945, Grumbach u punësua në “L’Express” nga Jean-Jacques Servan-Schreiber, themeluesi i saj.

Nga atëherë, Grumbach filloi të rrinte me disa prej figurave më të rëndësishme të Francës të shekullit 20.

Ai ndihmoi në rikthimin e reputacionit të senatorit të atëhershëm – dhe presidentit të ardhshëm – Francois Mitterand kur ai u akuzua për organizimin e një atentati të rremë në vitin 1960. Ai ishte i afërt me presidentin Valery Giscard d’Estaing dhe burrështetasin e shquar Pierre Mendes France, mes të tjerëve. Aktorët Alain Delon dhe Isabelle Adjani ishin mysafirë në dasmën e tij, ku shkrimtarja Francoise Sagan dhe Pierre Berge, bashkëthemelues i Yves Saint Laurent, ishin dëshmitarë të martesës.

Dhe Grumbach ishte spiun gjatë gjithë kohës.

Disa mund ta shohin vendimin e tij për të spiunuar për Bashkimin Sovjetik si një përrallë romantike të besnikërisë ndaj një regjimi që fundin e kishte të ditur. Por, vetë Mitrokhini spekuloi se ndërsa ndoshta ishte ideologjia ajo që e tërhoqi Grumbachin në KGB, pas vetëm disa vjetësh arsyet e tij për të qëndruar si spiun kishin më pak të bënin me dëshirën për ta çuar përpara kauzën e komunizmit në Evropë, dhe më shumë me dëshirën e tij që të bëjë mjaftueshëm para për të blerë një apartament në Paris.

Stimujt financiarë ishin sigurisht tërheqës. Sipas dosjes së Mitrokhinit, vetëm në mes të viteve 1976 dhe 1978 Grumbachit iu dhanë 250,000 euro të sotme për shërbimet e tij ndaj KGB-së. Në tri raste të tjera në vitet 1970, ai mori një bonus si një nga 13 spiunët më të mirë sovjetikë në Francë.

Ende është e paqartë se çfarë misionesh kreu saktësisht. Dosja Mitrokhin tregoi se gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 1974 KGB-ja i dha atij dosje me përmbajtje të pavërteta të cilat kishin qëllim të krijonin tensione mes kandidatëve presidencialë të krahut të djathtë. Edhe pse “L’Express” citon dokumente që thonë se Grumbachit iu besua misioni i “zgjidhjes së çështjeve delikate” dhe “vendosjes së marrëdhënieve me përfaqësues e liderë të partive politike, dhe grupeve”, ka pak shembuj konkretë të Grumbachit që ndihmon në mënyrë aktive BRSS-në.

Ndoshta kjo është arsyeja pse, në fillim të viteve 1980, KGB-ja i shkëputi lidhjet me të. Sipas librit të Mitrokhinit, agjentët e KGB-së në Paris e konsideruan Grumbachin “të pasinqertë” dhe thanë se ai i ekzagjeroi aftësitë e tij për të mbledhur informacion dhe vlerën e inteligjencës së tij. Ai u lirua në vitin 1981.

Nuk do të dihet kurrë nëse Grumbachi ishte i çliruar se jeta e tij e dyfishtë nuk ishte më, apo si ndihej për gjithë ato vjet shërbimi në KGB.

Qoftë për shkak të turpit apo për shkak të një ndjenje të vazhdueshme besnikërie, ai refuzoi përpjekjen e vetme në vitin 2000 nga një gazetar, Thierry Wolton, për të zbuluar më shumë për vitet e tij si spiun. Grumbach fillimisht dukej se e pranonte tërthorazi të kaluarën e tij, por më vonë u tërhoq, duke kërcënuar se do ta padiste Woltonin nëse vazhdonte me librin që po e përgatiste.

Woltoni e la projektin, por duket se incidenti nxiti dëshirën te Grumbachi që të bisedojë për eksperiencën e tij.

E veja e tij, Nicole, së fundmi i tha “L’Expressit” se pak pas vizitës së Woltonit, burri i saj i kishte treguar asaj të vërtetën. “Ai më shpjegoi se kishte punuar për KGB-në para se të martoheshim”, i tha ajo revistës. Ajo tha se ai kishte përmendur se ishte “revoltuar” nga racizmi që pa në Teksas derisa ishte në Ushtrinë amerikane, dhe la të kuptohej se kjo e shtyu të kërkonte bashkëpunim me BRSS-në. “Ai menjëherë shtoi se donte të ndalonte pothuajse menjëherë, por se ishte kërcënuar”, i tha Nicole “L’Express”./BBC