Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Spanja “i hakmerret” Italisë, vendos kontrolla kufitare

Pedro Sanchez & Giorgia Meloni

Pedro Sanchez & Giorgia Meloni

Spanja ka vendosur kontrolle kufitare për të gjitha udhëtimet ajrore dhe detare që vijnë nga Italia, duke përshkallëzuar përplasjen mes dy vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Masat kanë hyrë në fuqi në mesnatë dhe do të jenë në fuqi për një muaj. Vendimi vjen një javë pasi Italia vendosi masa të ngjashme, pas fluksit të rreth 78 mijë migrantëve nga Maroku drejt enklavës spanjolle të Ceutas.

Kriza ka vënë përballë kryeministrin socialist të Spanjës, Pedro Sanchez, dhe kryeministren konservatore të Italisë, Giorgia Meloni, e cila prej kohësh kërkon rregulla më të ashpra të BE-së për migracionin.

Italia nuk ka kufi tokësor me Spanjën. Qeveria italiane ka thënë javën e kaluar se vendimi për pezullimin e përkohshëm të lëvizjes pa kontrolle brenda zonës Shengen synon të parandalojë kalimin drejt Italisë të migrantëve që kishin hyrë në Ceuta.

Madridi e hodhi poshtë këtë argument, duke e cilësuar si të bazuar në “arsyetime të sajuara” dhe pa bazë faktike, pasi migrantët që hynë në Ceuta nuk kishin mundësi të hynin në zonën Shengen përmes territorit spanjoll.

Të premten, Spanja i kërkoi Italisë që t’i hiqte kontrollet deri të dielën. Roma, megjithatë, deklaroi se masat do të vazhdojnë të paktën deri më 15 gusht, duke argumentuar se Spanja pret një “valë të re migracioni” në Ceuta.