Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Sllovakia dëbon 35 diplomatë rusë

Sllovakia ka bërë të ditur të mërkurën se ka kufizuar numrin e diplomatëve rusë, të cilët mund të punojnë në ambasadën e Rusisë në Bratislavë, raportoi BBC-ja.

Sipas autoriteteve sllovake, teknikisht këto nuk janë dëbime, por 35 diplomatë rusë do të duhet të largohen nga vendi.

Ministria e Jashtme e Sllovakisë ka thënë se vendimin e ka marrë në përgjigje të aktiviteteve të stafit të ambasadës ruse, që ishin në kundërshtim me Konventën e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike.

Një burim i ka thënë BBC-së se masa, në fakt, do të përgjysmonte misionin diplomatik të Rusisë në Sllovaki.

Kjo vjen pasi katër vende të BE-së dëbuan më shumë se 40 diplomatë rusë të dyshuar për spiunazh, të martën.

Irlanda, Belgjika, Holanda dhe Republika Çeke lëshuan urdhra dëbimi për gjithsej 43 punonjës të ambasadës të martën pasdite.