Tradicionalisht, është puna e një spiuni që të mbajë sekrete – por teksa pushtimi i Ukrainës u shfaq, zyrtarët e inteligjencës perëndimore morën vendimin e pazakonshëm për t’i treguar botës çfarë dinin, shkruan BBC të shtunën.
Zyrtarët e inteligjencës kishin parë si inteligjenca parashikoi luftën dhe e dinin se nëse Rusia do ta pushtonte Ukrainën, puna e tyre do niste qysh herët në mëngjes.
Lajmi në fund arriti më 24 shkurt, ende dukej joreale, kujton njëri: “Ishte e vështirë të besohej se po ndodhte vërtetë derisa u zgjova herët atë mëngjes dhe lëshova radion”.
Për muaj ata kishin dhënë alarmin.
“Atë ditë njerëzit kaluan nga ‘pse po bëhesh histerik?’ në ‘pse nuk ishte më tepër histerik?’” thotë zyrtari.
Edhe
Inteligjencës amerikane i kërkohet që ta mbyllë gojën lidhur me Ukrainën
Në prag të luftës dhe në javët pasi filloi inteligjenca amerikane dhe britanike bëri publike disa nga sekretet e brendshme si pjesë e një fushate të paprecedentë.
Për dekada, inteligjenca zakonisht ndante diçka me sa më pak individë që ishte e mundur. Jo më. Vendimi u bë për ta njoftuar tërë botën për të.
Kjo jo vetëm që shënoi ndryshimin dramatik në mënyrën se si inteligjenca perëndimore ka operuar – nënkuptonte gjithashtu konfrontimin me trashëgiminë e dhimbshme të pushtimit të Irakut.
Shenjat e para të qëllimeve të Rusisë arritën një vit më parë. Inteligjenca nga imazhet satelitore vuri theksin te grumbullimi i trupave ruse afër kufirit me Ukrainën. Por, analistët kuptonin pak nga qëllimet e vërteta të Moskës.
Kjo ndryshoi në mesin e vitit 2021. “Që nga vera ne pamë një grup të vogël të njerëzit të lartë që planifikonin një pushtim ushtarak të plotë të të gjithë shtetit”, shpjegoi një nga zyrtarët e inteligjencës perëndimore.
Të dhënat e mbledhura dhe analizat nga inteligjenca ishin çështje e përbashkët SHBA-Britani, thonë ata që janë të përfshirë – një që e quan atë një operacion “familjar”.
Vladimir Putini dukej se besonte se duhej të vepronte shpejt për t’i përmbushur qëllimet e tij që ta sillte Ukrainën sërish nën sferën e influencës ruse. Dhe ai besonte se e vetmja mënyrë që ta bënte këtë ishte përdorimi i forcës. “Ai ndjente sikur kishte një dritare mundësie që po mbyllej”, shtoi një person i përfshirë drejtpërdrejt.
Në vjeshtë, Washingtoni vendosi se duhej të bënte diçka me atë që po i thuhej nga spiunët e tij. Ai vendim, thonë ata që janë të përfshirë, u mor në nivelin më të lartë i Shtëpisë së Bardhë nga presidenti Joe Biden.
Një moment kyç erdhi në fillim të nëntorit kur drejtori i CIA-s, William Burns, udhëtoi për në Moskë – për ta paralajmëruar se Washingtoni e dinte se çfarë po planifikonte. Udhëtimi nuk u mbajt sekret. Hera e parë që disa zyrtarëve rusë iu tha se vendi i tyre mund të kishte ndërmend seriozisht të vepronte kundër Ukrainës ishte kur e dëgjuan këtë nga drejtori i CIA-s, thotë një zyrtar.
Faza tjetër ishte të bëhej diçka nga inteligjenca publike. Një individ i përfshirë i diskutime, i cili si të tjerët foli në kushte anonimiteti, kujton rastet kur pyetej: “Cili është qëllimi të dimë të gjitha këto, nëse nuk mund të bëjmë diçka për të?”
Në Washington, drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Avril Haines, e cila informoi aleatët në NATO në nëntor – dhe këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, atribuohen për shtyrjen e publikimit të materialit. Ekspertët për deklasifikim, të trajnuar për të kuptuar rreziqet, filluan të punonin për të vendosur se çfarë mund të bëhej publike.
Në Londër, inteligjenca – që erdhi nga GCHQ dhe MI6 - u prit me pak mosbesim në disa qarqe. Një problem i zakonshëm brenda dhe jashtë qeverisë ishte se njerëzit thjesht nuk mund të besonin se një luftë e madhe tokësore mund të shpërthente në Evropë në shekullin 21.
Ishte vetëm fundi i vitit – pasi materiali u shpërnda përmes një procesi zyrtar dhe Komiteti i Përbashkët i Inteligjencës lëshoi vlerësimin se pushtimi tani ishte “shumë i mundshëm” – kur të gjithë filluan ta kuptonin se kjo ishte e vërtetë.
Edhe
Si e ndihmoi Inteligjenca amerikane Ukrainën për t’u mbrojtur nga Rusia
Fillimi i atij procesi ishte një rezultat i drejtpërdrejtë i mësimeve të nxjerra gati dy dekada më parë, kur inteligjenca ishte përdorur për të bërë publike çështjen e luftës në Irak në një mënyrë të rastësishme por edhe të improvizuar. Në vitin 2003, mes akuzave për politizim, reputacioni i spiunëve të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe u dëmtua - veçanërisht pasi inteligjenca rezultoi e gabuar.
Që atëherë diskutimet që inteligjenca të përdoret në publik janë përhumbur. Procedura të reja u vunë për të siguruar se informacioni sekret do të kalonte përmes një procesi të rreptë vlerësimi për ta rregulluar se si mund të përdorej.
Aleatë të tjerë po ashtu informuan. Por, shumë mbetën skeptikë. Sepse burimi i inteligjencës nuk mund të publikohet, ishte e vështirë disa herë që të tejkalohet kjo mosbesueshmëri, thotë një zyrtar.
Frika për spiunët në publikim e materialeve është se kjo nga ana tjetër tregon se ata kanë një rrjedhje dhe potencialisht mund ta humbë atë burim. Kjo është arsyeja pse në Luftën e Dytë Botërore, Mbretëria e Bashkuara mbajti sekretin e Bletchley Park aq ngushtë. Ka pasur edhe raste të tjera që nga Iraku kur inteligjenca është bërë publike, për shembull mbi përdorimin e armëve kimike në Siri, por asnjëherë në shkallën që po shihet mbi Ukrainën.
Lëshimet përfshijnë shpërndarjen e detajeve nga Britania të planeve ruse për të instaluar individë specifikë si pjesë të qeverisë në Kiev – dhe Washingtoni që publikoi planet nga Moska për të dhënë pretekste për luftë, përfshirë trupa të vdekur të cilët ata rrejshëm do të pretendonin se janë vrarë nga ukrainasit.
Spiunët amerikanë dhe britanikë besojnë se publikimi i këtij materiali ia hoqi Moskës aftësinë për të justifikuar pushtimin si një veprim mbrojtës.
Një spiun thotë për ditët para pushtimit se ai kurrë nuk kishte parë diçka të tillë - materiale shumë të klasifikuara do të ishin në tryezën e tij një ditë dhe më pas do të dilnin në publik ditën tjetër.
Por, derdhja e paprecedentë e inteligjencës nuk ishte e mjaftueshme për të ndaluar pushtimin.
Zyrtarët thonë se e kanë bërë shumë më të lehtë për shtetet e tjera që të grumbullojnë masa më të ashpra sesa nëse do të kishte pasur një pamje konfuze dhe të diskutueshme se kush ishte agresori i vërtetë.
Në një nivel, pjesa më e madhe e inteligjencës ishte e drejtpërdrejtë. Kishte, siç parashikohej, një sulm të plotë nga drejtime të shumta me qëllim rrëzimin dhe zëvendësimin e qeverisë Zelensky.
Spiunët perëndimorë gjithashtu parashikuan saktë se Moska kishte krijuar gabimisht besimin për pritjen që do të haste. "Ata besonin vërtet se do të kishte flamuj për t'i mirëpritur", thotë një zyrtar i inteligjencës perëndimore.
Por një supozim rezultoi i gabuar - se ushtria e Moskës do të mbizotëronte brenda disa javësh. Në vend të kësaj, lufta nuk rezultoi ashtu siç prisnin shumë, me Ukrainën që ushtarakisht performoi mirë, ndërsa Rusia rezultoi keq.
Edhe Pse spiunët amerikanë duhet të jenë në qendër të vëmendjes?Kjo është një rikujtim se inteligjenca ka kufijtë e saj - veçanërisht në parashikimin e disa prej rrethanave të luftës dhe reagimit të njerëzve. Dhe me gjithë suksesin e saj para luftës, spiunët perëndimorë pranojnë se inteligjenca nuk mund t'u tregojë atyre me siguri se çfarë do të ndodhë më pas.
Përktheu: Emine Shehu