Botë

Si mbijetuan për 40 ditë 4 fëmijët e zhdukur në xhungël

Të premten, në mes të natës në zemër të xhunglës kolumbiane, radiot e ushtrisë u gjallëruan me mesazhin për të cilin kombi ishte lutur: “Mrekulli, mrekulli, mrekulli, mrekulli”.

Kodi ushtarak zbuloi se katër fëmijë të zhdukur në xhungël prej 40 ditësh ishin gjetur të gjithë.

Të miturit, të gjithë anëtarë të popullit indigjen Huitoto, ishin zhdukur që kur avioni i me të cilin po udhëtonin u rrëzua në Amazon në orët e para të 1 majit.

Tragjedia vrau nënën e tyre dhe la fëmijët - 13, nëntë, katër dhe një vjeç - të bllokuar vetëm në një zonë të mbushur me gjarpërinj, jaguar dhe mushkonja.

Shpëtimtarët fillimisht kishin frikë nga më e keqja, por gjurmët e këmbëve, frutat e egra të ngrëna pjesërisht dhe të dhëna të tjera shpejt u dhanë atyre shpresë se fëmijët mund të ishin gjallë pasi u larguan nga vendi i përplasjes duke kërkuar ndihmë.

Gjatë gjashtë javëve të ardhshme, fëmijët luftuan me atë që presidenti i Kolumbisë Gustavo Petro e quajti “një shembull i mbijetesës që do të mbetet në histori”.

“Fëmijët e xhunglës”

Nëse ka pasur ndonjëherë fëmijë të përgatitur mirë për të përballuar një provë të tillë, familja Mucutuy ishin ata.

Njerëzit e Huitotos mësojnë gjuetinë, peshkimin që në moshë të re, dhe gjyshi i tyre Fidencio Valencia u tha gazetarëve se fëmijët më të mëdhenj, Lesly dhe Soleiny, e njihnin mirë xhunglën.

Duke folur për mediat kolumbiane, tezja e fëmijëve, Damarys Mucutuy, tha se familja luanin rregullisht një “lojë mbijetese” së bashku me të rriturit.

“Kur luanim, ngrinim si kampe të vogla”, kujton ajo. Trembëdhjetë vjeçarja Lesly, shtoi ajo, “e dinte se çfarë frutash nuk mund të hante sepse ka shumë fruta helmuese në pyll. Dhe ajo dinte si të kujdesej për një fëmijë”. Pas përplasjes, Lesly ndërtoi strehimore të improvizuar.

Ajo gjeti gjithashtu “Fariña”, një lloj mielli, nga rrënojat e aeroplanit Cessna 206 me të cilin po udhëtonin.

Fëmijët mbijetuan me atë miell derisa mbaroi dhe më pas hëngrën fara, u tha gazetarëve Edwin Paki, një nga udhëheqësit indigjenë që mori pjesë në përpjekjet e kërkimit.

“Ka një frut, i quajtur avichure” tha ai. “Ata po kërkonin fara për të ngrënë nga një pemë avichure rreth një kilometër e gjysmë nga vendi i rrëzimit të aeroplanit”.

Astrid Cáceres, kreu i Institutit Kolumbian për Mirëqenie Familjare, tha se “xhungla ishte në korrje” dhe ata mund të hanin fruta që ishin në lulëzim.

Por ata ende u përballën me sfida të rëndësishme për të mbijetuar në mjedisin jomikpritës.

Duke folur për BBC Mundo të shtunën, eksperti indigjen Alex Rufino tha se fëmijët ishin në “një xhungël shumë të errët, shumë të dendur, ku janë pemët më të mëdha në rajon”.

"Është një zonë që nuk është eksploruar. Qytetet janë të vogla dhe janë pranë lumit, jo në xhungël," shtoi ai.

Përveç shmangies së grabitqarëve, fëmijët gjithashtu duruan stuhi të forta shiu dhe mund t'u duhej të shmangnin grupet e armatosura që thuhet se ishin aktive në xhungël.

Në një moment, fëmijët u detyruan të mbroheshin nga një qen i egër, tha Presidenti Petro.

Por Rufino vuri në dukje se 13-vjeçari i rritur në një komunitet indigjen zotëronte tashmë shumë nga aftësitë e nevojshme për të lulëzuar në një mjedis të tillë.

John Moreno, udhëheqës i grupit Guanano në Vaupes, në pjesën juglindore të Kolumbisë, ku fëmijët u rritën, tha se ata ishin “rritur nga gjyshi e tyre”, një plak indigjen i respektuar gjerësisht.

“Ata përdorën atë që mësuan në komunitet, u mbështetën në njohuritë e tyre stërgjyshore për të mbijetuar”, tha ai.

Shpëtimi dramatik

Ndërsa kërkimi vazhdoi, zyrtarët në Bogota u vunë nën presion për ngadalësinë e tij. Presidenti Petro u përball me kritika pasi zyra e tij publikoi në mënyrë të rreme një postim në Twitter duke thënë se fëmijët ishin gjetur.

Autoritetet hodhën 10,000 fletëpalosje me këshilla mbijetese të shkruara në spanjisht dhe në gjuhën indigjene Huitoto, dhe helikopterët lëshuan mesazhe nga gjyshja e tyre për t’i siguruar fëmijët se po kërkoheshin.

Por pa e ditur mediat, ushtria po i afrohej gjithnjë e më shumë gjetjes së familjes.

Në kohën kur fëmijët u gjetën, rreth 150 trupa dhe 200 vullnetarë nga grupe vendase u përfshinë në operacion, i cili përfshinte një sipërfaqe prej mbi 300 km katrorë.

Por të premten, pas një kërkimi njëmujor, qentë specialistë të shpëtimit gjetën fëmijët.

Një video e shpërndarë nga ministria e mbrojtjes e Kolumbisë tregoi fëmijët duke u ngritur në një helikopter në errësirë mbi pemët e larta. Ata janë dërguar në kryeqytetin e vendit Bogota, ku ambulancat i kanë dërguar në spital për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Familja e fëmijëve falënderoi ushtrinë për vazhdimin e kërkimit të tyre pavarësisht gjasave të ulëta të mbijetesës dhe i kërkuan qeverisë që t'i sjellë fëmijët në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur.

“Nuk e kam humbur kurrë shpresën, kam qenë gjithmonë duke mbështetur kërkimin. Ndihem shumë e lumtur, falënderoj presidentin Petro dhe 'vendasit' e mi që kaluan kaq shumë vështirësi”, tha gjyshja e tyre për mediat shtetërore.

Presidenti Petro tha se: “Ata janë fëmijë të xhunglës dhe tani janë edhe fëmijë të Kolumbisë”.

Përktheu: Besjana Bajrami