Ama, nuk do të përfundojë si butoni kur ndezim a shkyçim dritën: Bota duhet të mësojë të bashkëjetojë me një virus që nuk do të largohet lehtë. Mutanti ultrangjitës Omicron po i shtyn rastet në nivelet më të larta të të gjitha kohërave dhe po shkakton kaos teksa bota e rraskapitur përpiqet, përsëri, ta frenojë përhapjen
Pandemitë në fakt mbarojnë, edhe pse Omicroni po e bën më të vështirë të dihet se kur. Ama, nuk do të përfundojë si butoni kur ndezim a shkyçim dritën: Bota duhet të mësojë të bashkëjetojë me një virus që nuk do të largohet lehtë.
Mutanti ultra-ngjitës Omicron po i shtyn rastet në nivelet më të larta të të gjitha kohërave dhe po shkakton kaos teksa bota e rraskapitur përpiqet, përsëri, ta frenojë përhapjen. Mirëpo, kësaj here nuk po e nisim nga e para.
Vaksinat ofrojnë mbrojtje të fortë nga sëmundjet e rënda, ani pse nuk parandalojnë gjithmonë infeksionet e lehta. Omicroni nuk duket të jetë aq vdekjeprurës sa variantet e mëparshme. E ata që i mbijetojnë do të kenë një mbrojtje të rifreskuar kundër formave të tjera të virusit që ende po qarkullojnë – e ndoshta edhe ndaj mutantit të ri që do të shfaqet.
Mesazhi i Omicronit!
Varianti i ri është një paralajmërim i asaj se çka do të vazhdojë të ndodhë “nëse nuk e marrim seriozisht përfundimin e lojës”, ka theksuar doktori Albert Ko, specialist i sëmundjeve infektive në Shkollën e Shëndetit Publik në Yale.
“Sigurisht që COVID-i do të jetë gjithmonë me ne”, ka shtuar Ko. “Nuk do të jemi kurrë në gjendje ta zhdukim a ta eliminojmë virusin, kështu që duhet t’i identifikojmë qëllimet tona”.
Në një pikë, Organizata Botërore e Shëndetësisë do të përcaktojë kur mjaft vende do të kenë zbutur rastet me COVID – ose të paktën hospitalizimet dhe vdekjet – për të deklaruar që pandemia ka mbaruar zyrtarisht. Se kur do të jemi në atë pikë saktësisht, nuk dihet.
Edhe kur kjo të ndodhë, disa pjesë të botës ende do të luftojnë – sidomos vendet me të ardhura të ulëta që kanë mungesë të vaksinave dhe medikamenteve - derisa të tjerat do të kalojnë më lehtë në atë që shkencëtarët e quajnë gjendje “endemike”.
Janë dallime të paqarta, ka sqaruar eksperti i sëmundjeve infektive, Stephan Kissler, nga Shkolla e Shëndetit Publik Harvard T.H. Chan School. Ai e përcakton periudhën endemike si “arritjen e një lloj gjendjeje të qëndrueshme e të pranueshme” për t’u marrë me COVID-19.
Kriza e Omicronit na bën me dije se nuk jemi ende aty, mirëpo “vërtet mendoj se do të arrijmë në një pikë kur SARS-CoV-2 do të jetë një endemi më shumë si grip”, ka thënë ai.
Kur vihen në krahasim, COVID-19 ka marrë jetën e më shumë se 800.000 amerikanëve në dy vjet teksa gripi zakonisht shkakton vdekje mes 12.000 dhe 52.000 në vit.
Saktësisht se sa sëmundje dhe vdekje të vazhdueshme nga COVID-19 do të përballojë bota është kryesisht pyetje sociale e jo shkencore.
“Nuk do të arrijmë në një pikë të vitit 2019”, ka thënë doktori Amesh Adalja, studiues i lartë në Qendrën Johns Hopkins për Sigurinë Shëndetësore. “Duhet t’i bëjmë njerëzit të mendojnë për tolerancën ndaj rrezikut”.
Shenjat amerikane

Doktor Anthony Fauci, eksperti i lartë amerikan i sëmundjeve infektive, po mundohet të gjejë një mënyrë që virusi “të mos dëmtojë shoqërinë dhe ekonominë”.
SHBA-ja tashmë po dërgon sinjale se janë në rrugë që gjithçka t’i kthehet normalitetit. Administrata e Bidenit ka bërë të ditur se ka mjete të mjaftueshme – përforcues vaksinash, trajtime të reja dhe maskim – për të përballuar madje edhe kërcënimet nga Omicroni pa pasur nevojë për mbyllje si më parë. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve sapo e kanë reduktuar në pesë ditë kohën që njerëzit me COVID-19 duhet të qëndrojnë në izolim në mënyrë që të mos i sëmurin të tjerët, duke thënë se është bërë e qartë se ata janë më ngjitës që herët.
India ofron një paraqitje të shkurtër se si është të arrish në një nivel të qëndrueshëm të COVID-19. Deri kohët e fundit, rastet e raportuara ditore kishin mbetur nën 100.000 për gjashtë muaj, por vetëm pas një kostoje me jetë “shokuese për t’u llogaritur” e shkaktuar nga varianti delta, ka shpjeguar doktor T. Jacob John, ish-shefi i virologjisë në Kolegjin Mjekësor të Krishterë në Indinë jugore.
Omicroni tani po nxit një rritje të rasteve, kurse vendi në janar do të nxjerrë përforcues vaksinash për punëtorët e rendit të parë. Mirëpo, John ka treguar se sëmundjet e tjera endemike, sikurse gripi e fruthi, shkaktojnë periodikisht shpërthime dhe koronavirusi do të vazhdojë të ndizet herë pas here edhe pasi Omicroni të kalojë.
Një të ardhme të mundshme e shohin shumë ekspertë: Në periudhën pas pandemisë, virusi do të shkaktojë të ftohura për disa, dhe sëmundje të rënda për të tjerët, varësisht nga shëndeti i tyre i përgjithshëm, statusit të vaksinës dhe infeksioneve të mëparshme. Mutacionet do të vazhdojnë dhe si përfundim mund të kërkojnë herë pas here përforcues për t’u përshtatur edhe me variante të tjera të reja.
“Nuk jemi më popullsia e njëjtë e vitit 2019”
Megjithatë, sistemi imunitar njerëzor do të vazhdojë të përmirësohet në njohjen dhe luftimin e virusit. Imunologu Ali Ellebedy nga Universiteti i Washingtonit në St. Louis gjen shpresë në aftësinë e jashtëzakonshme të trupit për t’i mbajtur mend mikrobet që i ka parë më herët dhe të krijojë shumë shtresa mbrojtëse.
Qelizat Memory B, janë një nga këto shtresa, qeliza që jetojnë ndër vite në palcën e eshtrave, të gatshme për të lëvizur në veprim dhe të prodhojnë më shumë antitrupa kur është e nevojshme. Mirëpo, fillimisht këto qeliza trajnohen në kampet e sistemit imunitar të quajtur qendra që mësojnë më shumë se sa të bëjnë thjesht kopje të anti-trupave të tyre origjinal.
Në një studim të ri, ekipi i Ellebedy ka zbuluar se vaksinat “Pfizer” nxisin “qelizat ndihmëse T” që veprojnë si rreshteri i stërvitjes ne ato kampet e ushtrimit, duke çuar në prodhimin e antitrupave më të ndryshëm që mund të funksionojnë edhe kur virusi ndryshon përsëri.
Ellebedy ka thënë se imuniteti bazë i popullsisë është përmirësuar aq shumë sa edhe pse infeksionet e reja vazhdojnë në mënyrë të pashmangshme, do të ketë një rënie të sëmundjeve të rënda, hospitalizimeve dhe vdekjeve – pavarësisht variantit tjetër.
“Nuk jemi më popullsia e njëjtë që ishim në dhjetor të vitit 2019”, ka theksuar ai. “Është terren ndryshe tani”.
Ai parashikon se si një ditë kur dikush të infektohet me koronavirus, do të qëndrojë në shtëpi dy deri në tre ditë “e pastaj vazhdojnë lëvizjen”. Shpresoj se ky do të jetë fundi i lojës”.
Përktheu: Blerta Haxhiu