Botë

Shtetet perëndimore dënojnë vendimin e Iranit për ekzekutimin e Akbarit

Irani postoi një video të Akbarit këtë javë, duke treguar atë që dukej të ishte rrëfim i detyruar. Irani ka deklaruar se Akbari ishte njëri prej agjentëve kryesor të shërbimit të inteligjencës britanike në Iran.

Ekzekutimi i iranianit me nënshtetësi britanike, Alireza Akbari, i cili ishte dënuar me vdekje, ka ngjallur reagime të shumta në botën perëndimore të shtunën.

Ish-zëvendësministri iranian i Mbrojtjes ishte arrestuar në vitin 2019 dhe u dënuar për spiunazh te Britania e Madhe, akuzë të cilën vazhdimisht e kishte mohuar.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak ka thënë se ekzekutimi i tij ishte “akt qyqar i kryer nga regjimi barbar”. Ndërkaq, Franca ka thirrur diplomatin e Iranit në Paris, duke ia tërhequr vërejtjen se shkelja e ligjeve ndërkombëtare nuk do të kalojë pa u ndëshkuar.

Ndërkaq, Britania ka vendosur sanksione ndaj kryeprokurorit të Iranit, duke thënë se do ta mbante përgjegjës regjimin për shkeljen e të drejtave të njeriut.

“Sanksionimi i tij shpërfaq neverinë tonë për ekzekutimin e Alireza Akbarit”, ka thënë sekretari i jashtëm britanik, James Cleverly. Irani gjithashtu ka thirrur ambasadorin britanik në Teheran në lidhje me atë që e ka quajtur “intervenim jokonvencional” të Britanisë.

Media zyrtare e gjyqësorit iranian “Mizan” raportoi gjithashtu se Alireza Akbari ishte varur, pa dhënë një datë të saktë për ekzekutimin.

Irani postoi një video të Akbarit këtë javë duke treguar atë që dukej të ishte rrëfim i detyruar. Irani ka deklaruar se Akbari ishte njëri prej agjentëve kryesor të shërbimit të inteligjencës britanike në Iran.

Sidoqoftë, BBC-ja ka transmetuar transmetoi një mesazh audio të mërkurën në të cilin Akbari tha se ishte torturuar dhe detyruar të rrëfente në kamera për krimet që nuk i kishte kryer.

Familjes së Akbarit iu kërkua të shkonte në burgun e tij për një "vizitë përfundimtare" të mërkurën dhe gruaja e tij tha se ai ishte transferuar në izolim.

Grupi për të drejtat e njeriut “Amnesty International” i ka bërë thirrje Britanisë që të hetojë deklaratën se Akbari ishte torturuar para vdekjes. Grupi ka akuzuar Iranin se nuk ka shfaqur pikë respekti për jetën njerëzore.

Sanam Vakil, eksperte e Iranit në grupin hulumtues për çështjet ndërkombëtare Chatham House, ka thënë se vdekja e Akbarit do të përdorej nga regjimi iranian për të sugjeruar se “dora e rëndë e jashtme” po nxiste trazirat antiqeveritare - duke i lidhur protestat me akuzën se kombet perëndimore po përpiqeshin të "destabilizonin republikën islamike".

“Mbajtja e narratives së përfshirjes së Perëndimit është një mënyrë për të ruajtur unitetin midis establishmentit politik”, ka thënë Vakil.

Lidhjet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Iranit janë përkeqësuar muajt e fundit që kur Londra vendosi sanksione ndaj policisë morale të Iranit dhe figurave të tjera të larta të sigurisë, në përgjigje të shtypjes së dhunshme të vendit ndaj protestuesve antiqeveritar.

Irani ka arrestuar dhjetëra iranianë me shtetësi të dyfishtë ose me rezidencë të përhershme të huaj në vitet e fundit, kryesisht me akuza për spiunazh dhe siguri kombëtare.

Shtetasit britaniko-iranianë Nazanin Zaghari-Ratcliffe dhe Anoosheh Ashoori u liruan dhe u lejuan të largoheshin nga Irani vitin e kaluar pasi Britania e Madhe zgjidhi një borxh të gjatë që i detyrohej Teheranit. Megjithatë, të paktën dy britaniko-iranianë të tjerë mbeten në paraburgim, përfshirë Morad Tahbaz, i cili gjithashtu ka nënshtetësi amerikane.