Botë

Irani përgatitet të ekzekutojë shtetasin britanik nën akuzat për spiunazh

Familja e një britaniko-iranian të dënuar me vdekje në Iran, ka njoftuar se autoritetet po përgatiten ta ekzekutojnë atë, raportoi BBC-ja.

Gruaja e Alireza Akbarit, Maryam, ka thënë se familjes i është kërkuar të shkonte në burg për “vizitë të fundit”, pasi që Alireza është transferuar në izolim.

Mbretëria e Bashkuar i ka kërkuar Iranit ta ndalojë ekzekutimin e planifikuar dhe ta lirojë menjëherë.

"Ky është një akt i motivuar politikisht nga një regjim barbar që ka shpërfillje totale për jetën njerëzore", shkroi në Twitter Sekretari i Jashtëm, James Cleverly .

BBC-ja ka transmetuar të mërkurën një audio-mesazh nga Akbari, në të cilën ai thotë se u torturua dhe u detyrua të rrëfejë para kamerave krimet që nuk i ka kryer.

 

Disa orë pas transmetimit të mesazhit audio, agjencia e lajmeve Mizan e gjyqësorit iranian konfirmoi për herë të parë se Akbari ishte shpallur fajtor për spiunazh.

Mizan citoi Ministrinë e Inteligjencës së Iranit të thoshte se Akbari ka qenë "një nga infiltruesit më të rëndësishëm të qendrave të ndjeshme dhe strategjike të vendit" për Shërbimin Informativ Sekret të Mbretërisë së Bashkuar, i njohur më mirë si MI6, dhe se ai ka "përpiluar dhe transferuar me vetëdije informacione të ndjeshme”.

Ministria pretendoi se agjentët e saj zbuluan spiunimin e Akbarit duke i dhënë atij informacion të rremë.

Në fund të nëntorit, media shtetërore iraniane raportoi se autoritetet kanë varur katër burra të dënuar për "bashkëpunim" me inteligjencën izraelite.

Katër të tjerë janë ekzekutuar që nga dhjetori pasi u dënuan me vdekje në lidhje me protestat antiqeveritare që përfshinë vendin.

Irani ka arrestuar dhjetëra iranianë me shtetësi të dyfishtë ose me rezidencë të përhershme të huaj në vitet e fundit, kryesisht me akuza për spiunazh dhe siguri kombëtare.