Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shtatë të vdekur në Francë nga temperaturat e larta

France

Foto: Associated Press

Shtatë persona kanë vdekur në Francë nga një valë e të nxehtit të hershëm ekstrem veror që po prek një pjesë të madhe të Evropës Perëndimore, ndërsa Franca dhe Mbretëria e Bashkuar shënuan temperatura rekord për muajin maj. 

“Ajo që mund të them sot është se ka pasur shtatë vdekje të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me vapën”, ka thënë zëdhënësja e qeverisë franceze, Maud Bregeon, për televizionin TF1.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Meteo France, agjencia kombëtare franceze e motit, ka thënë se temperatura më e lartë e së hënës, 37.1°C, është regjistruar pranë Hossegor, në departamentin jugperëndimor Les Landes, dhe se temperaturat në të gjithë perëndimin e vendit mund të kalonin 36°C të martën.

Agjencia ka thënë se e hëna ishte “dita më e nxehtë e matur ndonjëherë për muajin maj që nga fillimi i regjistrimeve”, me temperaturën mesatare kombëtare, të matur në 30 stacione në të gjithë vendin, që ka arritur në 24.4°C, krahasuar me rekordin e mëparshëm prej 23.7°C në vitin 1944.

Met Office ka thënë se e hëna ishte dita më e nxehtë e muajit maj e regjistruar ndonjëherë në Britani, me temperaturat që arritën 34.8°C në Keë Gardens, në jugperëndim të Londrës, një nivel që agjencia e përshkroi si “jashtëzakonisht të pazakontë në Mbretërinë e Bashkuar edhe në mes të verës, e jo më në maj”.

Në Spanjë, temperaturat e larta prej 36-38°C në luginat Guadiana, Guadalquivir dhe Ebro pritet të vazhdojnë ndoshta deri të premten, ka thënë shërbimi shtetëror meteorologjik Aemet, duke shtuar se “në disa nga ato zona, temperaturat mund të arrijnë 40°C”.

Tetë nga 96 departamentet administrative të Francës janë vendosur në alarm portokalli për temperatura të larta, niveli i dytë më i lartë, që kërkon nga popullsia “të jetë vigjilente dhe të marrë masa paraprake”.

Kjo ishte hera e parë që sistemi kombëtar i paralajmërimit për vapën aktivizohej në muajin maj që kur u prezantua në vitin 2004.