Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Shpeshtohet prania e peshkaqenëve në ujërat e New Yorkut

Prania e peshkaqenëve është në rritje përgjatë vijës bregdetare të New Yorkut duke rezultuar në të paktën tre persona të kafshuar gjatë muajit të kaluar. Anijet patrulluese dhe dronët janë kombinuar me rojet e shpëtimit në plazhe në mënyrë që t’i paralajmërojnë notarët për prani të mundshme të peshkaqenëve.

“Gjatë javës së kaluar, kemi patrulluar në orët e para të pasdites”, ka thënë togeri Sean Reilly i Policisë së Ruajtjes së Mjedisit të Shtetit të New Yorkut. Autoritetet për ruajtjen e mjedisit kanë shpjeguar se janë peshqit ata që tërheqin vëmendjen e peshkaqenëve dhe i shtyjnë ata të dalin në sipërfaqe ose afër bregut.

Oqeanet më të pastra, temperaturat më të ngrohta të ujit dhe shfaqja e peshqve me të cilët ushqehen peshkaqenët shihen si faktorë. Një video-incizim me dron nga një roje plazhi që patrullonte për peshkaqenë në plazhin Jones të Long Island në fillim të korrikut, kapi një peshkaqen të madh që po ndiqte pas një grumbull peshqish. Për më shumë, autoritetet vunë në dukje se si njerëzit shpesh i ngatërrojnë delfinët me peshkaqenë. Rritja e numrit të peshkaqenëve është shenjë se përpjekjet e ruajtjes së mjedisit kanë pasur sukses për të ndihmuar në rivendosjen e ekuilibrit ekologjik në oqeane, thonë ekspertët.

Artikuj të ngjashëm