Një shpërthim bombe jashtë një klinike fertiliteti në Kaliforni, nga i cili u vra një person dhe u lënduan katër tjerë, ishte një “akt i qëllimshëm terrorizmi”, kanë njoftuar zyrtarët e FBI-së, transmeton “BBC”.
Shpërthimi ndodhi të shtunën rreth orës 11:00 me kohë lokale në Palm Springs, në afërsi të disa bizneseve përfshirë edhe Qendrën Amerikane të Riprodhimit (ARC).
FBI ka thënë se e ka një person me interes në kuadër të hetimeve.
Rhino Williams, ishte në një restorant në afërsi në momentin e shpërthimit. Ai i ka thënë BBC-së se fillimisht mendoi se ishte rrëzuar një helikopter.
Ai tha se shkoi në vendin e ngjarjes dhe pa mure të shembura të një dëmtese dhe një veturë në zjarr në një parking aty afër.
Në një konferencë për media të shtunën, FBI tha se ishte sulm i qëllimshëm.
“Ky ishte një akt i qëllimshëm terrorizmi. Ndërsa hetimi ynë po zhvillohet, ne do të përcaktojmë nëse ishte terrorizëm ndërkombëtar apo i brendshëm”, ka thënë kreu i zyrës së FBI-së në Los Angeles, Akil Davis.
Shefi i policisë së Palm Springs, Andy Mills, tha se shpërthimi dëmtoi disa ndërtesa.
Ai tha se nuk dihet identiteti i personit që humbi jetën.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, tha se shteti po koordinohet me autoritetet lokale dhe federale për t’iu përgjigjur incidentit.
Nga klinika e fertilitetit në Palm Springs u tha se shpërthimi ndodhi në parkingu pranë objektit të saj. Është e paqartë se çfarë shkakoi shpërthimin.