Shërbimet e emergjencës kanë punuar për tri orë rresht në shuarjen e zjarrit në Chempark - ku ndodhen kompanitë e mëdha të substancave kimike Bayer dhe Lanxess – i cili ka shpërthyer pas eksplodimit në orën 9:40, ka njoftuar operatori i parkut Curreta
Shpërthimi i fuqishëm në një park industrial të Gjermanisë ka shkaktuar të martën vdekjen e të paktën dy personave dhe lëndimin e 31 të tjerëve, duke nxitur ngritjen e një shtëllunge të rrezikshme tymi mbi qytetin perëndimor Leverkusen. Disa persona ende konsiderohen si të pagjetur.
Shërbimet e emergjencës kanë punuar për tri orë rresht në shuarjen e zjarrit në Chempark - ku ndodhen kompanitë e mëdha të substancave kimike Bayer dhe Lanxess – i cili ka shpërthyer pas eksplodimit në orën 9:40, ka njoftuar operatori i parkut Curreta.
“Mendimet e mia janë me të lënduarit dhe të vdekurit. Jemi ende në kërkim të personave të pagjetur, porse shpresa për gjetjen e tyre të gjallë është duke u shuar”, ka theksuar shefi i Chempark, Lars Friedrich.
Policia ka bërë të ditur se pesë nga 31 të lënduarit janë në gjendje serioze shëndetësore dhe kanë nevojë për përkujdesje intensive.
“Ky është një moment tragjik për qytetin e Leverkusenit”, ka thënë Uwe Richrath, kryebashkiak i qytetit që shtrihet në veri të Këlnit.
Policia ka urdhëruar qytetarët e rajoneve përreth parkut që të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre dhe t’i mbyllin dyert e dritaret si pasojë e rrezikut nga tymi toksik. Currenta ka bërë të ditur se banorët duhet që gjithashtu t’i fikin sistemet e ajrimit teksa po bëhen matje të cilësisë së ajrit për përcaktimin e pranisë së mundshme të gazeve toksike.
Shefi i Chemparkut ka theksuar se nuk dihet ende çfarë e ka shkaktuar shpërthimin.
“Tretësit janë djegur gjatë incidentit dhe nuk e dimë saktësisht se cilat substanca janë liruar”, ka theksuar ai. “Jemi duke e ekzaminuar këtë çështje me autoritetet, po mbledhim mostra”.
Zyra federale për mbrojtje dhe ndihmë civile në Gjermani nëpërmjet sirenave dhe njoftimeve dërguar në telefona celularë ka paralajmëruar qytetarët rreth “rrezikut ekstrem”, shkaku i potencialit të lirimit të kimikateve të rrezikshme në ajër. Më vonë gjatë ditës, brigada e zjarrfikësve e qytetit ka bërë të ditur se analizat e ajrit nuk kanë treguar ndonjë shenjë jonormaliteti. Qyteti i Leverkusenit ka bërë të ditur se shpërthimi mund të ketë ndodhur në tankierin e tretësve. Për shkak të frikës nga helmimi i qytetarëve, janë mbyllur të gjitha autostradat që përshkojnë rrethinën.